(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com

Komuna e Shtërpcës mban të papërdorura pajisje mjekësore në vlerë 461 mijë euro

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Shtërpcës mban të deponuara pajisje mjekësore në vlerë prej 461 mijë eurove.

Sipas Raportit të Auditimit për këtë Komunë, në vitin 2019 Komuna kishte blerë pajisje mjekësore në vlerë prej 299,228 euro, ndërsa është vërejtur se pajisjet mjekësore ishin në depo, duke mos i futur në përdorim.

“Në regjistrin e pasurive të shëndetësisë sekondare janë të evidentuara pajisje mjekësore në vlerë totale 461,873€, të cilat pajisje janë të pa përdorura por vazhdojnë të zhvlerësohen. Zhvlerësimi i akumuluar i tyre deri në vitin 2019 arrin vlerën 57,040€”, thuhet në raportin e Auditimit.

Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak se nuk është bërë vlerësimi adekuat i nevojave për arsye se spitali në të cilin duhej të vendosen pajisjet ende nuk është përfunduar.

Po ashtu, në raport ceket se mospërdorimi i mallit të blerë dhe pranuar paraqet rrezik për keqpërdorim dhe përvetësim.

“Në të njëjtën kohë deponimi i pajisjeve për kohë të gjatë dhe mos përdorimi i tyre mund të ndikoj edhe skadimin e afatit të përdorimit dhe që mbart në vete kosto shtesë për komunën nga zhvlerësimi i tyre”, thuhet në njërën nga gjetjet e raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Shtërpcës, për vitin 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që kryetari i Komunës duhet të sigurojë që zbatohet mirë planifikimi i nevojave për prokurim, para se të kërkohet dërgesa e çfarëdo malli apo pajisjeve të kërkuara, me qëllim të menaxhimit adekuat të buxhetit.