Komuna e Shtërpcës mban në depo pajisje mjekësore afër dy milionë euroshe

Komuna e Shtërpcës nuk po i menaxhon mirë pasuritë e veta. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se pajisje mjekësore në këtë komunë mbahen në depo duke i lënë të zhvlerësohen.

Auditori ka gjetur se këto pajisje janë blerë në vlerë mbi 1.6 milion euro, apo saktësisht 1,646,571 euro.

“Zhvlerësimi i tyre deri në fund të vitit 2020 kishte arritur vlerën prej 786,182€. Për më tepër, kishte prej tyre pajisje në vlerën blerëse 52,290€ që ishin zhvlerësuar plotësisht dhe vlera e mbetur e tyre në regjistra kontabël është zero”, thuhet në raportin e ZKA-së për këtë komunë.

Kujtojmë se sipas nenit 2.1 të Rregullores 02/2013, të gjitha organizatat buxhetore janë të obliguara që të marrin masat e nevojshme për dokumentimin, ruajtjen, evidentimin, tjetërsimin dhe raportimin e pasurisë jo financiare me qëllim të menaxhimit më efektiv, efikas dhe ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë jo financiare nga dëmtimi dhe keqpërdorimi.

Auditori ka rekomanduar kryetarin e Shtërpcës së duhet të sigurojë që kërkesat për blerjen e pajisjeve dhe planifikimi i nevojave për prokurim të jenë analizuar mirë dhe në përputhje me krijimin e parakushteve për funksionalizimin e tyre, duke pasur parasysh gjithnjë vlerën për paranë.

Më tutje, auditori ka rekomanduar se duhet të merren masa urgjente që të krijohen parakushtet që pajisjet që gjenden në depo dhe ndërtesat e banimit sociale të futen sa më shpejt në përdorim.