Komuna e Shpend Ahmetit bëri 709 ditë për asfaltimin e 780 metrave rrugë

Për asfaltimin e një rruge 780 metra, qytetarët e rrugës “Richard Holbrooke” në Prishtinë është dashur të presin gati dy vite apo 709 ditë në total.

Kjo është një nga Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërtimin e rrugës “Richard Holbrooke” në lagjen Veternik, për të cilën thuhet se ka pasur stërzgjatje të punimeve, më saktësisht plot 709 ditë kalendarike.

“Për ndërtimin e rrugës Richard Holbrooke, me gjatësinë e krahut të parë 523m dhe gjerësinë 16,5 m, si dhe krahun tjetër 251m dhe gjerësi 11 m, plani dinamik kishte paraparë që punimet të realizohen për 240 ditë derisa periudha kalendarike për realizimin e punimeve nuk ishte specifikuar fare. Për realizimin e këtij projekti ishin nevojitur gjithsej 709 ditë kalendarike”, thuhet në raportin “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Sipas ZKA-së, fillimisht nisja e aktivitetit të prokurimit në kohë të papërshtatshme ishte një ndër shkaqet që kishte ndikuar në vonesë.

“Njësia kërkuese kishte parashtruar kërkesë për inicimin e aktivitetit të prokurimit në fund të muajit maj të vitit 2017 ndërsa aktiviteti i prokurimit kishte filluar në qershor, derisa kontrata ishte nënshkruar në shtator, vetëm dy muaj para fillimit të sezonit dimëror”, thuhet më tej.

Auditori shton se periudha e stërzgjatur kohore e punimeve (sipas raportit përmbledhës të menaxherit të kontratës) ishte shkaktuar nga ndërprerja e punimeve gjatë stinës së dimrit të viteve 2017 dhe 2018 për 244 ditë, ditëve të fundjavës dhe ditëve të festës (125 ditë), kushteve atmosferike (57 ditë sipas raportit) dhe për shkak të kontesteve pronësore (25 ditë).

“Gjithashtu, për 21 ditë punimet ishin ndërprerë për shkak se ishte dashur të nxirret një vendim i ri për caktimin e menaxherit të kontratës”, thotë raporti.

ZKA thotë se përveç këtyre, gjendja në terren kishte imponuar devijim nga projekti kryesor në disa pozicione të cilat, edhe pse nuk kishin shkaktuar ndryshim thelbësor të projektit e as në tejkalim të vlerës së kontratës, kishin rezultuar me vonesa në realizim të projektit.

“Punët shtesë të cilat nuk ishin paraparë me kontratë janë: mure mbrojtëse; trotuare, zhvendosja e trafos që nuk ishte paraparë as në planin dinamik e as në projekt, demolimi i objekteve që kishin uzurpuar pronën publike (as këto nuk janë paraparë në planin dinamik e as në projekt), dhe negocimi me banorët që kishin pretendime pronësore për trasenë kah kalonte rruga e projektuar”, thuhet më tej.

Procesi i ndërtimit dhe përmirësimit të rrugëve rajonale dhe lokale gjatë periudhës 2017-2019 për të cilin janë shpenzuar mbi 343 milionë euro, është përcjellë me mangësi të shumta dhe vonesa nga tri deri në pesë vjet.

Ky është konkluzioni i përgjithshëm i auditimit të Raportit të Performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” i Zyrës Kombëtare të Auditimit.