Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Rahovecit tash e dy vite pa asnjë noter, kryetari kërkon zgjidhje sa më shpejtë

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka ngritur shqëtësimin për mungesën e një noteri në këtë komunë.

Latifi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se mungesa e noterit në Rahovec i ka sjell telashe me bujqit, pasi ata është dashur të marrin një deklaratë nën betim për aplikim për subvencione.

Por, sipas Latifit, bujqit duhet të shkojnë në Prizren që ta kryejnë këtë shërbim.

“Deklarata nën betim që është kërkuar nga fermerët si kriter për aplikim, e që aktualisht bëhet përmes zyrës së noterisë në Prizren, ua pamundëson bujqve tanë të kryejnë shërbimet e tyre”, ka shkruar Latifi.

Sipas Latifit, Komuna e Rahovecit tash e dy vite nuk ka noter dhe ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të bëhet një zgjidhje.

“Komuna e Rahovecit, tash e dy vite, nuk ka një zyre të noterisë, e për këtë nga Ministrja Haxhiu, nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete edhe përkundër adresimit dhe insistimit tonë të vazhdueshëm si komunë, që sa më parë të gjendet një zgjidhje dhe Rahoveci të bëhet me NOTER”, ka shkruar Latifi.

“Ne gjendemi në një presion të paimagjinueshëm nga bujqit e komunës sonë, të cilët sot ia kanë mësyrë objektit të Komunës së Rahovecit, për të kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje. Më lejoni t’ju informoj, se ne jemi duke pritur për t’u sqaruar në tërësi se cilat janë rrethanat lehtësuese për bujqit tanë, në të kundërtën do të insistojmë për një zgjidhje konkrete duke u lejuar atyre qasje për aplikim”, ka shtuar ai më tej.

Ai ka thënë se pret nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ta adresojnë me urgjencë këtë çështje.

“Ndërkaq, bujqve të komunës sonë, ju lutem të bëni durim, ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Përpjekjet tona janë serioze, qëllimet tona janë më se të qarta, zgjidhja të gjendet sa më shpejtë që është e mundur, Rahoveci urgjentisht duhet të bëhet me NOTER”, ka shtuar më tej ai.

Komuna e Rahovecit tash e dy vite është pa asnjë noter për shkak të pensionimit të noterëve.

Në bazë të Ligjit për Noterinë, një noter duhet të jetë i disponueshëm për 10,000 banorë.

Më 31 mars të vitit 2021, nga Ministria e Drejtësisë kishin bërë të ditur për KALLXO.com se në Komunën e Rahovecit janë të autorizuar të ofrojnë shërbime noteriale dy noterë nga Komuna e Prizrenit Aliriza Beshi dhe  Suna Sallahi.