Komuna e Rahovecit

Komuna e Rahovecit paralajmëron për vërshime

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit ka paralajmëruar se nga sot e në ditët në vijim pritet të ketë përkeqësim të motit dhe pritet të ketë reshje të shiut në sasi më të mëdha sesa normalja nga ku edhe mundë të ketë vërshime apo përmbytje.

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se sipas paralajmërimeve zyrtare këto reshje pritet të përfshijnë rajonin e Komunës së Rahovecit.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit, Hasan Përboqi, ka bërë të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, ekipi i  shpëtimit dhe emergjencës dhe njësitë tjera emergjente të komunës janë mobilizuar dhe  do të jenë aktive  gjatë gjithë kohës si dhe do të jenë në shërbim të atyre që kanë nevojë.

“Po ashtu edhe kompanitë për intervenime emergjente që janë të kontraktuara nga komuna janë njoftuar që të jenë në gjendje gatishmërie dhe të i rrisin kapacitetet intervenuese të tyre në rast të nevojës për intervenim”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.

Komuna ka kërkuar nga qytetarët që të marrin masat më herët dhe të jenë të gatshëm për çfarëdo përballje me vërshimet dhe përmbytjet e mundshme.

Komuna ka njoftuar qytetarët se ata që kanë nevojë mund të kontaktojnë në numrin kontaktues emergjent  029-277-555.