Komuna e qeverisur nga Xhafer Tahiri subvencionoi me 20 mijë euro përfituesin i cili ishte nën hetime

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Departamenti për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë të udhëhequr nga Xhafer Tahiri i LDK-së, ka subvencionuar një përfitues me 20 mijë euro edhe pse i njëjti nuk kishte plotësuar kriteret.

Sipas Auditorit, përfituesi nuk e kishte plotësuar kriterin në lidhje me vërtetimin se nuk ka borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe nuk se nuk e kishte sjellë fare certifikatën se nuk është nën hetime. Po ashtu, Auditori ka theksuar se më vonë është sjellë vërtetimi se përfituesi është nën hetime, në kundërshtim me kriteret e konkursit.

“Neve na është ofruar dëshmi vërtetimi i ATK-së me borxhe, e cila është e vitit 2017) dhe nuk kishte sjellë fare certifikatën se nuk është nën hetime (një certifikatë e sjellë më vonë dëshmon se bartësi i OJQ-së ishte nën hetime)”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2019.

Përveç dobësisë në menaxhimin e subvencioneve në Departamentin për Kulturë, Rini dhe Sport, Auditori ka identifikuar edhe mangësi të tjera.

Për tri thirrjet publike, “Grante për zhvillimin e sektorit privat – lot 1 për bizneset fillestare”, “Frezë për traktor” dhe “Serë e tipit tunel 0.5 ari”, Auditori ka vërejtur së thirrjet për aplikim nuk kishin përcaktuar kritere të matshme dhe specifike për përzgjedhjen e përfituesve potencial. Në raportin e auditimit thuhet se kjo ka bërë që pothuajse të gjithë aplikantët të plotësojnë kriteret, andaj komisionet kanë përdorur nën kritere tjera për selektim që nuk ishin të shkruara/dokumentuara.

“Për më tepër, për aplikuesit e refuzuar, zyrtarët komunal nuk kanë arritur të na dëshmojnë këtë vlerësim”, thuhet në raport.

Gjatë vitit 2019 komuna ka paguar 55,958 euro sipas kontratës që kishte me një bankë komerciale për “Mbulimin e normave të interesit për kredimarresit”. Qëllimi i kësaj kontrate ishte përkrahja në zhvillimin e agro bizneseve dhe bizneseve tjera përmes subvencionimit të kamatës për kreditë që do t’i ndahen kredimarrësve.

“Nga testimi i thirrjeve publike/pagesave, kemi evidentuar se nuk ka siguri së është arritur objektivi i kësaj kontrate”, ka theksuar Auditori.

Auditori ka thënë se nuk iu janë ofruar dëshmi të cilat vërtetojnë se interesi i paguar nga ana e komunës ishte për qëllimet e përcaktuara në kontratën e komunës me bankën, dhe vetëm pas sugjerimeve të tyre, komuna ka filluar të angazhohet në këtë drejtim për të verifikuar nëse shpenzimet e komunës janë komfor qëllimeve të përcaktuara.

“Komuna nuk kishte ngritur mekanizma për tu siguruar se pagesat e komunës po shfrytëzohen për qëllimet e përcaktuara”, theksohet në raport.

Po ashtu, edhe te thirrja publike në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë, përfituesi i subvencionimit prej 12 mijë euro nuk kishte plotësuar kriterin lidhur me vërtetimin se nuk ka borxhe në ATK. Sipas Auditorit, vërtetimi i ATK-së dëshmon se OJQ kishte borxhe të pashlyera.

Auditori ka potencuar se mos përcaktimi i kritereve të matshme me rastin e përpilimit të thirrjeve për aplikim si dhe mos përfillja e kritereve të thirrjes publike, ka vështirësuar procesin e vlerësimit të aplikuesve, ka ndikuar në përzgjedhjen e përfituesve pa meritë si dhe ndikon në diskriminimin e aplikuesve tjerë. Po ashtu, Auditori ka theksuar se mungesa e mekanizmave mbikëqyrës lidhur me shfrytëzimin e subvencioneve të dhëna mund të ndikojë që ato të mos përdorën në pajtim me qëllimet e synuara.

“Kryetari duhet të sigurojë që procesi i vlerësimit të aplikuesve të dokumentohet me dëshmi përkatëse duke siguruar në të njëjtën kohë të mos shkelet parimi i konkurrencës, si dhe përfitues të subvencioneve të jenë vetëm aplikuesit që përmbushin kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. Po ashtu, Kryetari duhet të ndërtojë mekanizma mbikëqyrës për tu siguruar se subvencionet e dhëna arrijnë qëllimet e synuara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për Xhafer Tahirin, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë.