Ilustrim

Komuna e Prizrenit shton shërbimet shëndetësore për pacientë

 

Janari i vitit 2019 ishte koha kur nisi transformimi i kujdesit shëndetësor në Komunën e Prizrenit.

Sipas Visar Shehut, drejtor komunal i Shëndetësisë, transformimi ka nisur pas identifikimit të problemeve dhe mungesave të shërbimeve shëndetësore në nivelin komunal.

Visar Shehu, drejtor komunal i Shëndetësisë

Një numër i analizave të cilat nuk kryhen në asnjë prej institucioneve shëndetësore në komunat e tjera, janë në dispozicion të qytetarëve prizrenas.

Fraksionet e yndyrnave, kolesteroli (HDL,LDL)– për problemet kardiovaskulare, CRP-ASTO, TSH,T3,T4 (analiza të gjëndrës tiroide), Tumormarkeret (PSA, AFP), njësia diabetike, checkup-et, janë vetëm disa prej këtyre analizave.

Shehu thotë se me rritje e gamës së analizave është shtuar edhe numri i qytetarëve të cilët po kërkojnë shërbime shëndetësore. Sipas tij, fluksi i madh i qytetarëve ka bërë që për disa lloje të analizave të caktohen terminet, por këtu nuk përfshihen rastet urgjente.

Shehu thotë se prej 1 shkurtit, koha më e gjatë e pritjes së qytetarëve nga caktimi i terminit shkon deri në pesë ditë.

Por Shehu u ankua për mungesë të furnizimit me barna nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai tha se shërbimi shëndetësor në Prizren nuk është furnizuar as 60% në bazë të kërkesave dhe planeve komunale. Ndonëse me insulinë janë furnizuar më mirë se viteve të tjera, ai shton se që nga korriku i vitit të kaluar, kujdesi shëndetësor në Prizren nuk ka pranuar asnjë bari tabletar.

Pas kësaj, Shehu tregon se Komuna ka lidhur kontratë me operatorë me buxhetin e vet por kjo, sipas tij, është e pamjaftueshme për shkak se kërkesa është e madhe.

“Ne e kemi aparatin e Rëntgenit full digjital, jemi i vetmi institucion në kujdesin parësor shëndetësor një aparat të tillë dhe me filma për aparatë duhet të furnizohemi nga Ministria e Shëndetësisë dhe përgjigja që e kemi marrë nga MSh ka qenë se nuk kanë filma për aparat full digjital dhe na është dashur të lidhim kontratë me buxhetin komunal për të blerë filma për aparat full digjital”, ka thënë Shehu.

Shehu tregon edhe për riorganizimin e kujdesit shëndetësor, ku nga marsi i vitit të kaluar e deri në përfundim të vitit kanë shërbyer mbi 10 mijë pacientë vetëm në ndërrimin e tretë, pasi QKMF ka filluar me shërbim 24 orësh.

Ai ka treguar edhe për krijimin e dy ekipeve të shërbimit Home Care për personat të cilët kanë nevojë për kujdes shëndetësor në shtëpi.

Shehu thotë se gjatë vitit 2020 në kujdesin shëndetësor do të rrisin numrin e analizave.

Analizat që do t’i shtohen kujdesit ndaj qytetarëve janë; Jonogrami, analiza e vitaminave B, B12 dhe D, Analizat reumatike, Troponina, antitroponina dhe D dimër (Analizë për atakë kardiake), Helicobakteri, Tripl testi HCG dhe analiza te tjera për shtatzëna.

Shehu ka treguar se te një numër i madh prej këtyre analizave nuk parashihen në kujdesin parësor sipas Ligjit për Shëndetësi, por që këto i rregullon Udhëzimi Administrativ pasi që janë masa preventive për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve.

Ndërsa për vitin 2020, Komuna e Prizrenit ka planifikuar të fillojë ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare pasi ajo aktuale nuk i plotëson kushtet për shkak të hapësirave.

E gjithë kjo, sipas Shehut është për të kursyer sa më shumë qytetarët e Prizrenit.