Komuna e Prizrenit

Komuna e Prizrenit shpenzon 43 mijë euro për reklamim të aktiviteteve komunale

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë në vlerë 43 mijë e 750 euro për reklamimin dhe publicitetin e aktiviteteve të Komunës së Prizrenit.

Fitues i kësaj kontrate e cila është nënshkruar më 26 dhjetor është Televizioni i Prizrenit. Ky televizion do t’i ofrojë shërbime Komunës së Prizrenit në 3 vitet e ardhshme.

Për Komunën e Prizrenit këtë kontratë e ka nënshkruar udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, Isa Osmankaj.

Isa Osmankaj është i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kur kanë kaluar më shumë se 7 muaj që nga ngritja e aktakuzës i njëjti vazhdon të mbaj këtë pozitë përderisa procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon.

Osmankajt i ishte ngritur aktakuza pas raportimit të KALLXO.com se Komuna e Prizrenit e ka zbatuar një kontratë ndonëse e njëjta ishte e kundërligjshme.

Menaxher i kontratës së nënshkruar ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe Televizionit të Prizrenit, është drejtori i Administratës, Osman Hajdari.

Televizioni i Prizrenit do t’ia ofrojë Komunës pesë shërbime deri në përfundim të kontratës, më 26 dhjetor 2022.

Komuna e Prizrenit do të paguajë 11 mijë e 250 euro për 90 emisione javore në studio me drejtorët komunal dhe kryetarin e Komunës.

Për 60 reportazhe për aktivitete të veçanta, Komuna do të paguajë shumën prej 6 mijë euro.

Ndërsa më së shumti Komuna e Prizrenit do t’i paguajë storiet ditore për projektet e Komunës dhe vizitat e delegacioneve të ndryshme që do t’i mbulojë operatori. Komuna e Prizrenit për këtë shërbim do t’i arkëtojë 16 mijë euro në llogarinë e Televizionit të Prizrenit për 800 storie të tilla.

Për 150 video-spote vetëdijësuese dhe njoftuese, ofruesi i shërbimeve do të paguhet në shumën prej 6 mijë euro.

Përderisa 4,500 euro janë planifikuar për 30 xhirime me dy apo tri kamera të festivaleve apo manifestimeve të ndryshme.

Këtë kontratë të nënshkruar mes Komunës së Prizrenit dhe Televizionit të Prizrenit mund ta gjeni KËTU.