FOTO FB- Shaqir Totaj- objekti i rrenuar

Komuna e Prizrenit rrënon objektin që e përuroi para dy vitesh

Komuna e Prizrenit ka filluar ndërtimin e çerdhes së tretë publike në këtë qytet, në lokacionin ku deri më tash ka qenë duke funksionuar Qendra Pedagogjike- Psikologjike.

Për të filluar ndërtimin e çerdhes për komunitetin e lagjes ‘Ortakoll’, komuna ka vendosur që ta rrënojë ndërtesën në të cilën para dy vitesh kishte investuar 12 mijë euro.

“Po ka filluar rrënimi i objektit ku ka qenë e vendosur Qendra Pedagogjike – Psikologjike për shkak të ndërtimit të Çerdhes së re publike. Aty do të jetë e integruar edhe qendra në fjalë, funksionimi i kësaj qendre do të vazhdojë”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prizrenit.

Sipas komunës kjo Qendër, në të cilën kanë qenë të angazhuar 27 psikologë dhe mësues mbështetës, do të bartet përkohësisht në objektin e çerdhes publike në lagjen ’11 Marsi’ dhe pastaj, pasi të përfundojë objekti i çerdhes në ‘Ortakoll’, përsëri kjo qendër do të jetë e integruar në këtë lagje.

Në lidhje me këtë rrënim ka reaguar edhe opozita në Prizren.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj, këtë e ka quajtur keqpërdorim dhe tenderomani për të ‘rehatuar’ në vende të punës militantë partiakë.

Ndërsa në reagim ka thënë se renovimi i objektit për t’u shndërruar në Qendër Psikologjike-Pedagogjike ka kushtuar 30 mijë euro.

“Tenderomani se jo mahi! Sigurisht me këtë projekt, pushteti do ta shpërblejë me objekt dhe zyre komode skenaristin, që bashkë me “kryetaren” e vërtetë të komunës, po bëjnë planifikimin e kurdisjes së punësimeve të militantëve partiak. Këto çështje edhe më parë i ka potencuar PDK në Prizren. Me këtë rast, paralajmërojmë se me ardhjen në pushtet, vjeshtën që vjen, PDK do t’i trajtojë të gjitha rastet e dyshimta, për t’i dërguar para drejtësisë shpërdoruesit e buxhetit komunal”, ka shkruar Totaj.

Edhe asamblistja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Sadije Osa- Jakupi ka thënë se marrja e një hapësire të shkollës Abdyl Frashëri për të ndërtuar një çerdhe që nuk dihet nëse do të jetë me pagesë apo çerdhe e shkollës.

“Pas dy viteve ky objekt rrënohet për të nisur një objekt tjetër për çerdhe, por tani nuk dihet a do t’i përket kjo çerdhe shkollës apo do të jetë çerdhe publike me pagesë. Shkollës i është marr objekti edhe nga DKA e tash edhe për këtë objekt tjetër sipërfaqet gjelbëruese për një numër të madh nxënësish”, ka thënë Osaj- Jakupi.

Po ashtu, ajo ka thënë për KALLXO.com se kjo ndërtesë ka qenë donacion nga GIZ-i , ndërsa renovimi i saj ka kushtuar 30 mijë euro.

Edhe asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se renovimi i këtij objekti kishte kushtuar 30 nijë euro, ndërsa fillimin e ndërtimit të çerdhes në të njëjtin lokacion e ka quajtur tenderomani.

Edhe pse opozita insiston se renovimi i kësaj qendreje kishte kushtuar 30 mijë euro, ndryshe janë deklaruar nga komuna.

Sipas tyre, ky objekt kishte kushtuar 12,000 euro dhe është përuruar para dy vitesh.

“Për korrektësi përurimi është bërë me 3 dhjetor 2018 dhe ka kushtuar 12,000 euro”, thuhet në përgjigjen e komunës.

FOTO FB- Objekti i rrenuar