Komuna e Prizrenit për herë të parë bëhet me shtëpi përkujdesjeje për personat me nevoja të veçanta

Komuna e Prizrenit për herë të parë do të ketë shtëpi të Komunitetit për Personat me Nevoja të Veçanta.

Sipas njoftimit të komunës në këtë shtëpi do të strehohen personat me ngecje në zhvillimin mendor, që janë të moshës së rritur dhe nuk kanë përkujdesje nga të afërmit apo familjet e tyre.

Po ashtu sipas komunës, shërbimi do të jetë 24 orësh dhe do të ketë kapacitet për 14 persona.

“Kjo shtëpi rezidenciale, është ndërtuar në cilësinë e standardeve të larta dhe tani e tutje do të ofrojë 24 orë shërbime të ndryshme të pandërprera si: Strehimi, Higjiena, Ushqimi, Shërbime mjekësore nga stafi profesional, tanimë i rekrutuar, Aktivitete të ndryshme sociale si dhe të gjitha shërbimet tjera të nevojshme, në bazë të standardeve për shërbime profesionale sociale dhe familjare”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kjo shtëpi është bashkëinvestim në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe Qendrës për Shëndetin Mendor.