Komuna e Prizrenit nesër fillon vaksinimin e personave mbi 85 vjeç

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se nesër do të fillojë vaksinimin e personave mbi moshën 85 vjeçare.

“Sipas urdhëresës së IKSHP-së, nga data 08 prill 2021 do të fillojë vaksinimi edhe i personave mbi 85 vjeç”, thuhet në njoftimin e komunës.

Më tej në njoftim thuhet se drejtoria e Shëndetësisë ka mbledhur të dhënat për një numër të caktuar të personave të kësaj grupmoshe, të cilët do t’i kontaktojë Njësia e Vaksinimit, ndërkaq realizimi i vaksinimit do të bëhet me termine.

“Njoftohen të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit, të cilët kanë familjarë të kësaj grupmoshe, të lajmërohen në QKMF, njësinë e Imunizimit dhe Vaksinimit, ku më pas do t’ju caktohet termini për vaksinim”, vazhdon më tej njoftimi.

Me datën 29 mars ka filluar për herë të parë vaksinimi antiCOVID-19 për qytetarët e Kosovës.