Komuna e Prizrenit nënshkruan kontratën për ndërtimin e 'PUMP TRACK'-ut të parë në Kosovë

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e stazës ‘PUMP TRACK’ me vlerë totale prej 67 mijë e 67 euro.

Tenderi është fituar nga Limit L&B Sh.P.K dhe kontrata është nënshkruar në fillim të muajit qershor.

Ky projekt, sipas dosjes së tenderit, planifikohet të përfundojë për 60 ditë ndërsa fillimi i punëve ka qenë i planifikuar tri ditë pas nënshkrimit të kontratës, përkatësisht me 6 qershor.

Operatori do të garantojë për projektin 2 vite pas përfundimit të punimeve.

Sipas Komunë së Prizrenit kjo pistë do të ndërtohet në afërsi të Qendrës Sportive dhe është projekt i Drejtorisë për Turizëm.

Këto staza janë multi-sportive dhe të gjithë ata që përdorin ndonjë pajisje me rrota mund ta përdorin, skateboarder-s, motoçiklistë, çiklistë, madje edhe personat që përdorin një karrige me rrota.

‘PUMP TRACK’ është një stazë e valëzuar, ka nivel të lartë të sigurisë, është e përshtatshme për të gjitha moshat me infrastrukturë gjithëpërfshirëse rekreative aktive, qofshin ata fillestarë apo profesionistë.

Kjo stazë është e përshtatshme për personat nga mosha 2 deri në 70 vjeçare.

Ky projekt do të ketë hapësirë 1 mijë e 103 metra ndërsa me asfalt do të jenë të shtruara 390 metra me asfalt special për ‘PUMP TRACK’.

Ky projekt ishte nisur edhe njëherë, por kishte dështuar për shkak se nuk ka pasur oferta të përgjegjshme dhe nuk janë përmbushur kushtet e njoftimit për kontratë nga asnjë operator ekonomik.

Për dallim nga tash kur kontrata është nënshkruar në vlerë mbi 67 mijë euro, herën e kaluar Komuna e Prizrenit për këtë kontratë kishte planifikuar të shpenzonte 57 mijë euro.

Ky do të jetë projekti i parë i këtij lloji në Kosovë.

Komuna e Prizrenit planifikon të ndërtojë një stazë ‘PUMP TRACK’

Dështon ndërtimi i stazës ‘Pump Track’ në Prizren