Atmosfera e fundvitit në Prizren. Foto: Kallxo.com

Komuna e Prizrenit ndan 20 mijë euro për stolisjen e qytetit për fundvit

Komuna e Prizrenit ka planifikuar të shpenzojë 20 mijë euro për të stolisur qytetin për festat e fundvitit. Me këto mjete, është planifikuar të blihen 3 bredha, njëri prej tyre do të jetë i lartë 8 deri në 10 metra ndërsa dy bredhat e tjerë duhet të kenë lartësi 4 metërshe.

Me këtë tender, komuna e Prizrenit do të paguajë furnizimin, ngarkimin, transportin, shkarkimin dhe vendosjen e bredhave, të cilët duhet të jenë të dekoruar me elemente dekorative ndriçuese elektrike.

Komuna gjithashtu ka planifikuar edhe të furnizohet me 320 copë elementesh dekorative për t’i vendosur në Shadërvan dhe holle të objekteve komunale.

Sipas njoftimit për kontratë do të jetë procedurë e hapur për operatorët ekonomik.

Edhe në vitin 2019 dhe 2020, Komuna e Prizrenit kishte ndarë buxhet në vlerë prej 30 mijë eurosh, për secilin vit, për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Tenderët e viteve 2019 dhe 2020, komuna i kishte anuluar për se shkak se të gjithë operatorët ekonomik që kishin aplikuar nuk i kishin përmbushur kriteret.

Ndërsa, Prizreni në këto dy vite ishte dekoruar nga një operator privat.