Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit liron bizneset nga taksa dhe pagesa e shfrytëzimit të hapësirës publike

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë miratuar vendimin për lirimin nga pagesa e taksave për biznese si dhe të shfrytëzimit të hapësirës publike komunale, për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020, në mbledhjen e parë për vitin 2021 të mbajtur të enjten me datë 28 janar.

Sipas drejtoreshës së financave në këtë komunë, Leonora Çerreti, lirimi i pagesës së qirasë të mbetet vetëm për periudhën 6 mujore.

Sipas Çerretit, vlera totale e këtyre lirimeve për tavolinat, kiosqe dhe tezga është 164 mijë euro, kurse lirimi për taksa për biznese për ushtrimin e veprimtarisë arrin vlerën 287 mijë euro. Si total lirimi është 451 mijë euro.

“Propozimi ynë është që ta zgjerojmë këtë vendim, dhe të lirohen nga pagesa shfrytëzuesit e hapësirës publike. Në këtë vendim përjashtohen vetëm qiratë e lokaleve, ku për ato vlen vendimi i vitit të kaluar për periudhën mars-gusht. Kurse tani po propozojmë që tezgat, tavolinat, karriget dhe kiosqet të lirohen edhe për periudhën që ka mbetur, për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020, si dhe lirimi të bëhet për pjesën tjetër të taksës komunale që ju ngarkohet bizneseve”, ka thënë ajo.

Ndikimi i pandemisë në ekonominë në Kosovë ka qenë i rëndë për shkak të pandemisë COVID-19.