Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit ka ekzekutuar tre mijë fatura në vlerë 5.8 milionë euro përtej afatit ligjor

Janë gjithsej 2 mijë e 859 fatura të cilat janë ekzekutuar në vitin 2020 nga Komuna e Prizrenit. Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit këto pagesa kanë tejkaluar afatin ligjor. Këto fatura arrijnë vlerën 5.8 milionë euro.

“Nga analiza e data bazës së furnitorëve kemi vërejtur se komuna gjatë vitit 2020 kishte kryer pagesa në vlerë prej 5,898,000 euro apo 2,859 raste të pagesave të cilat e kanë tejkaluar afatin ligjor. Vonesat variojnë nga 1 muaj deri në 4 vite”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me mbështetjen e USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse organizuan debatin për gjetjet e auditorin në Komunën e Prizrenit.

Në këtë debat është treguar se Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë një progres në zbatimin e rekomandimeve të auditorit.

Përderisa, në vitin 2019 kjo Komunë ka pasur 23 rekomandime në vitin 2020 ka pasur tetë më pak, pra 15 rekomandime.

Nga 23 rekomandimet e vitit 2019, Komuna e Prizrenit në krye me Kryetarin Mytaher Haskuka ka arritur të adresoj 11 nga to.

Sipas Kryetarit Haskuka menjëherë pas pranimit të raportit të auditimit të vitit 2020 është bërë plani i veprimit për adresimin e çështjeve të caktuara.

Sa i përket çështjes së tre mijë faturave, ai tregoi se shkaku i faturave të cilat kanë qenë në rregull, por që janë dërguar gjatë muajit tetor dhe nëntor  për tu procesuar po rritet dhe numri i faturave të cilat po vonohen në aspektin e pagesës.

“Në vitin 2019 dhe në vitin 2020 faturat e pranuar të cilat kanë qenë në rregull dhe të cilat janë dërguar nga tetori në nëntor nuk janë procesuar në vlerë prej 540 mijë euro në 2019 ndërsa në 2020 nuk janë procesuar 680 mijë euro”, shtoi ai.

Haskuka tha se këto fatura po ndikojnë negativisht në aspektin e shikimit të suficitit, po ashtu se të njëjtat po mbesin borxh dhe po e dëmtojnë komunë edhe për vitin tjetër.

Ai deklaroi se për këtë çështje janë duke e krijuar një program digjital përmes së cilit komuna do të përcjell çdo hap, nga lëshimi i faturës deri tek pranimi i saj në drejtori e pastaj dorëzimi i saj në thesar.

“Do rritet, ndoshta, numri i personave të cilët merren me çështjen e pranimit dhe dorëzimit të faturave”, ka thënë Haskuka.

Ai madje tha se zyrtarët e Komunës nuk do të bëjnë më vonesa në procedimin e faturave., pasi që Komuna ka filluar procedurën për krijimin e një sistemi të ri.

Sipas tij, ky sistem do të ndihmojë që të procedohen më shpejtë faturat.

“Në momentin kur protokollohet kërkesa ajo hyn në sistem dhe pastaj monitorohet se ku po ngecë pagesa dhe se pse o ngec kjo pagesë”, ka thënë Haskuka.

“Shpresoj që këtë vit numri i rekomandimeve të zbatuara ose të adresuara do të jetë edhe më i madh se i viteve të kaluara”, tha Haskuka.

Një gjetje tjetër e auditorit fletë për menaxhimin e të hyrave nga sektori i mbeturinave.

Në raportin e ZKA – së tregohet se komuna ka faturuar dhe arkëtuar tarifën për mbeturina në shumë prej 12 euro për vit pa ndonjë bazë ligjore apo vendim të Kuvendit Komunal, përderisa ngarkesa e tarifës vjetore duhet të ishte 54 euro.

“Si rezultat i këtij nën faturimi komuna edhe këtë vit ka mbledhë më pak të hyra në vlerë prej 84,084€”, thuhet tutje në raport.

Për këtë Haskuka tha se menaxhimi i të hyrave nga sektori i mbeturinat është parapa si problematike.

“Punën në këtë aspekt e kemi filluar në vitin e kaluar mirëpo edhe çështja e pandemisë ka ndikuar”

I njëjti tregoi se është përpiluar një rregulloren e re për menaxhimin e mbeturinave.

Ai shtoi se kjo çështje ka qenë një nga çështjet kyçe në raportin e fundit të auditimit.

Gjetja e radhës e auditorit që u diskutua në këtë debat është dhe ajo e shqyrtimeve të parregullta të pronave komunale.

I pari i Prizrenit tha se për këtë çështje ka filluar të punohet.

“Në të gjitha rastet ku këto prona janë në shfrytëzim dhe ka kaluar kontrata ose është vendosur çështja në gjykatë ne me Drejtorinë e Inspektoratit kemi bërë takime dhe kemi përpiluar një plan se si të lirohen ato”, ka shtuar ai.

Ndërsa, për gjetjen për mos anulimin e dy konkurseve nga Drejtoria e Arsimit edhe pse kanë pasur vetëm nga një aplikues, Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi – Vezgishi ka thënë se një veprim të tillë ia lejon ligji.

“Kur kemi konkurse që lidhen me shkollën e muzikës dhe nuk kemi kandidatë të kualifikuar, gjithmonë bazohemi në ligjin për arsimin para universitar dhe Nenin 35.5 ku specifikohet se në rastet kur nuk ka kandidat të kualifikuar atëherë bëhen emërime në mënyrë që të mbulohen orët dhe të mos humbet mësim”, ka thënë ajo.

KALLXO.com debate të njëjta ka mbajtur edhe në Pejë, Suharekë, Ferizaj dhe Vushtrri.