Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prizrenit do të ndajë nga 10 mijë euro për Turqinë dhe Komunën e Skenderajt

Kuvendi Komunal i Prizrenit më 14 shkurt 2023 pritet të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme.

Pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje është ndarja e mjeteve buxhetore për Republikën e Turqisë dhe Komunën e Skenderajt.

Sipas njoftimit, Kuvendi Komunal pritet të ndajë nga 10 mijë euro për Turqinë dhe për Komunën e Skenderajt.

Njoftimin e plotë për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prizrenit mund ta lexoni këtu:

“Me kërkesë të Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, Kuvendi Komunal i Prizrenit më 14.02.2023 (e martë) do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, në sallën e mbledhjeve të Kuvendit, në Shtëpinë e Bardhë, në orën 11:00. Pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje është: “Ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 10.000 Eurove për Republikën e Turqisë dhe 10.000 Euro për Komunën e Skenderajt” – thuhet në njoftim.

Javë më parë, Skenderaj ka qenë një prej komunave më të prekura nga vërshimet.

Shtëpi, biznese, rrugë, ura, vetura, janë dëmtuar nga vërshimet.

Ndërkaq, një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Mbi 19 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmeteve në këto dy vende.

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuarit mes rrënojave të strukturave të shembura, por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tre ditë që nga tërmetet.