Komuna e Prizrenit do të kryejë teste rapide edhe në katër Qendra të tjera të Mjekësisë

Testet rapide në komunën e Prizrenit nga sot do të kryhen edhe në katër Qendra të tjera të Mjekësisë Familjare.

Testet do të kryhen edhe në QMF-të e fshatrave Gjonaj, Reçanë, Korishë dhe Zhur.

Deri më sot këto teste janë kryer  vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr.

Sipas kryetarit të komunë së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka njoftuar për kryerjen e këtyre testeve  ka thënë se kjo është bërë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve.

“Në këtë mënyrë, përveçse do e ulim intensivitetin e punës në QKMF dhe QMF në Bajram Curr, po ashtu do t’i eliminojmë lëvizjet e qytetarëve, eventualisht të prekur me COVID-19, gjë që e parandalon përhapjen e virusit”, ka shkruar Haskuka.

Haskuka më tej ka rikujtuar se Komuna e Prizrenit ofron pakon e plotë për personat e rpekur ose ata që dyshojnë se janë prekur me COVID-19.

“Me këtë rast dua të rikujtoj që përveç këtyre testeve, Komuna e Prizrenit është njëra nga komunat e para në Kosovë, që ka kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar edhe: Testet e D-Dimer-it, Rentgenin e mushkërive, Analizat tjera të nevojshme dhe Testet serologjike”, ka përfunduar ai.