Prishtina. Pamje nga droni: BIRN
Komuna e Prishtinës u bën thirrje shitëseve që të lirojnë hapësirat në rrugët dhe trotuaret në afërsi të tregjeve
Komuna e Prishtinës ka dalë me një njoftim për shitësit që operojnë në hapësirat publike, në trotuare dhe rrugë, në afërsi të tregjeve në qendër të qytetit dhe në lagjen Ulpiana.
Ata kanë bërë thirrje se këta të fundit prej datës 8 korrik e deri më 24 korrik të këtij viti duhet të lirojnë këto hapësira me qëllim që të njëjtat të shfrytëzohen për çfarë edhe janë të destinuara.
Në njoftim është bërë e ditur se pas datës 24 korrik, Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë do të fillojë aksionin edhe nën asistencën e Policisë së Kosovës për lirimin e këtyre hapësirave, rrugëve dhe trotuareve.
Ndërkaq, hapësirat të cilat janë përmendur që duhen liruar në afërsi të Tregut të Gjelbër në Qendër të qytetit janë:
• Rruga “Ilaz Agushi”
• Rruga “Ylfete Humolli”
• Rruga “Xhemail Prishtina”
Ndërsa, rrugët dhe trotuaret që duhet të lirohen në afërsi të tregut të gjelbër në Ulpianë janë:
• Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
• Rruga “Imzotë Nikë Prela”
• Rruga “Zija Shemsiu”
Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje që të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të këtyre dy tregjeve.
“Luten të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të këtyre dy tregjeve për shkak se pas datës së lartëcekur, në asnjë mënyrë nuk do të lejohen të operojnë jashtë ambienteve të këtyre dy tregjeve, saktësisht, askund në hapësira publike brenda kryeqytetit”, është thënë në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Është kërkuar mirëkuptim nga ana e shitësve, pasi sipas komunës ky vendim do të ndihmojë sado pak në transformimin e Prishtinës.