FOTO- Ilustrim

Komuna e Prishtinës sqaron se në cilat raste shkohet me mbyllje të shkollave

Dje Komuna e Prishtinës ka raportuar se për shkak të infektimit me virus të disa nxënësve dhe mësimdhënësve, shkolla fillore ‘Xhemail Mustafa’ është mbyllur.

Në shkollën ‘Xhemail Mustafa’ u raportua se janë prekur me virus 4 mësimdhënës dhe 13 nxënës, ku vetëm në një klasë kanë qenë 9 pozitivë.

E njëjta gjë ndodhi edhe para dy javësh kur u mbyll shkolla fillore “Faik Konica”.

Ky rrezik ka qenë i ditur qysh prej hapjes së shkollave dhe duke parë ritmin e rasteve në rritje do kemi më shumë shkolla që do kalojnë në sistem online.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, për Kallxo.com ka thënë se shkollat mbyllen atëherë kur mbi 5% e stafit të shkollës dalin të prekur me virus.

“Sot janë duke u marr mostrat e gjithë stafit dhe klasave ku ka pasur të infektuar në shkollën ‘Xhemail Mustafa’, kurse shkolla do kalojë me planin C deri në ri testim. Shkolla mbyllet në rastin kur mbi 5% e stafit rezultojnë të prekur me virus, kurse vendimi për mbyllje tani ka kaluar tek Ministria e Shëndetësisë,” ka  thënë Shala.

Shala tutje tha se deri tani në Prishtinë janë tetë shkolla të mbyllura, kurse dy të tjera kanë dal nga izolimi.

“Deri tani janë tetë shkolla të mbyllura, kurse shkollat ‘Faik Konica’ dhe ‘Pjetër Bogdani’ janë hapur pas dy javëve sa kanë qenë me sistemin online”, ka shtuar Shala.

Shala gjithashtu ka shtuar se për momentin nuk ka evidencë për mbyllje të ndonjë shkollë tjetër.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë që pati sot në Ministrinë e Shëndetësisë tha se shkollat kanë sistemin më të mirë të funksionit për shkolla gjatë pandemisë si dhe shtoi se në muajin në vijim pritet të testohen 3 mijë qytetarë me teste serologjike për të ditur sa është shkalla e prekjes në nivel komune.

 

Mbyllet shkolla “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, mësimdhënës e nxënës rezultojnë pozitivë me COVID-19