Komuna e Prishtines
Komuna e Prishtinës reagon pas pretendimeve të Institutit Demokraci Plus se shërbimi i “Arkitektit të Kryeqytetit” është i kundërligjshëm
Instituti Demokraci Plus (D+), sot, më 30.07.2024, ka prezantuar gjetjet për shkeljet që pretendohet që janë bërë në kontratën në vlerë 12 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.
Sipas këtij Instituti, Kreshnik Ferizi ishte anëtar i paligjshëm në komisionin e vlerësimit të ofertave të tenderëve të Komunës së Prishtinës, pasi që kontrata e tij me Komunën e Prishtinës kishte përfunduar më 31.12.2022, ndërsa më datën 29.05.2023 ka përfunduar raporti për vlerësimin e ofertave.
Demokraci Plus ka vlerësuar se për Ferizin si anëtar i komisonit të vlerësimit të këtij tenderi ekziston dyshimi i bazuar për konflikt interesi për shkak se “duke qenë se grupi i operatorëve ekonomik “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” (Ardi CC L.L.C: Anarch Sh.P.K) të cilët u shpallën fitues nga komisioni vlerësuese ku anëtar ishte Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacione, ku vetë Kreshnik Ferizi figuron si bashkëpunëtor i kompanisë “Anarch Sh.P.K.”.
Po ashtu, nga ky Institut kanë thënë se edhe anëtari tjetër i komisonit, Bekim Mustafa, është i paligjshëm pasi që ai ka qenë me kontratë mbi vepër.
Ndërkaq, lidhur me këtë, KALLXO.com, sot, më 30.07.2024, i ka dërguar pyetje me shkrim Komunës së Prishtinës.
Në përgjigjen e Komunës së Prishtinës thuhet se Kreshnik Ferizi është caktuar anëtar i komisionit vlerësues për aktivitetin “Konsulencë për Themelimin e Shërbimit të Arkitekit të Kryeqytetit” në shtator të vitit 2022 dhe se për këtë çështje nuk ka pasur asnjë konflikt interesi.
“Ferizi gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar me kontratë pune nga Kryeqyteti dhe në këtë komision është angazhuar si pjesë e detyrave dytësore si çdo zyrtar. Pjesëmarrja e zyrtarëve në komisione vlerësuese është proces i rregulltë administrativ në secilin institucion, siç ka qenë rasti me z. Ferizi”- thuhet në reagimin e Komunës.
Komuna e Prishtinës tutje thotë se Ferizi nuk figuron as në dokumentet e dorëzuara të kompanisë, e cila ka qenë pjesë e aplikimit për tenderin në fjalë.
“Ju sigurojmë se, z. Kreshnik Ferizi nuk figuron në asnjë dokument të dorëzuar nga kompania Anarch SH.P.K si pjesë e aplikimit për tenderin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. Prandaj, nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit. Gjithashtu, çdo anëtar i Komisionit Vlerësues ka nënshkru deklaratën nën betim për respektim të të gjitha akteve ligjore”.
Ndërkaq për pretendimet e Demokarci Plus për anëtarin tjetër të komisionit, Bekim Mustafën, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Demokraci Plus: Shërbimi i ‘Arkitektit të Kryeqytetit’ i kundërligjshëm