Komuna e Prishtinës reagon pas kërkesës së LVV-së për hetim të thirrjes për veturat taksi elektrike

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas vendimit të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e kësaj komune, që ka kërkuar hetim për aktivitetin ekonomik të “Thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike”, të viti të kaluar.

Përmes një komunikate për media, Komuna e Prishtinës bën të ditur se vet ajo ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm lidhur me këtë rast. Pasi, siç thuhet në komunikatë, vendimi për thirrjen për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike, është marrë nga qeverisja e kaluar e kësaj komune.

“Meqenëse, Vendimi në fjalë është marr pak para ardhjes së administratës së re qeverisëse, qeverisja e re lokale menjëherë ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm lidhur me rastin në fjalë është në pritje të rezultateve të auditimit, dhe sa i përket organeve të hetuesisë, jemi të hapur ndaj çdo kërkese që organet e rendit mund të kenë”, thuhet në komunikatë.

Sot, gjatë ditës, grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njoftoi se ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetim lidhur me thirrjen e viti të kaluar të Komunës së Prishtinës: “Thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike”.  LVV, Dega në Prishtinë, dyshon se ka pasur shkelje ligjore gjatë procesit të kësaj thirrjeje.

 

LVV-ja e Prishtinës dërgon në polici thirrjen e komunës për veturat taksi elektrike