Komuna e Prishtinës: Qytetarët nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat e lëshuara nga Ndërmarrja "Pastrimi"

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KPM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025.

“Pas pezullimit të plotësim-ndryshimit të Rregullores për menaxhimin e mbeturinave njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë. Nga tani e tutje, pagesat për këtë shërbim duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës, deri në një vendim të ri.” – thuhet në njoftimin e Komunës, më 05.02.2025.

 

Më 03.02.2025, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci përmes një Konference për media janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin”, e cila sipas tyre nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.

Rama theksonte se votimi në Asamblenë komunale nga PDK-LVV në dhjetor 2024 për ndryshim të një Rregulloreje që mundësonte kyçjen e sektorit privat u bë me qëllim që të dëmtoheshin tentativat e Komunës për një qytet të pastër.

“Na është dashur të shpallim gjendjen emergjente në mars 2024, kemi angazhuar Kompani private të cilat i kanë ndihmuar Kompanisë ‘Pastrimi’ për arsye se, për fat të keq Kompania ‘Pastrimi’ nuk ka qenë në gjendje të mundësojë këtë. Kjo tash duket se dikujt i ka penguar, pra kemi pas formim të Koalicionit PDK-LVV, ku në një seancë (dhjetor 2024) kanë votu të heqin Pikën nga Rregullorja, që janë munduar të pamundësojnë angazhimin e sektorit privat për pastrimin e qytetit.” – ishte shprehur Rama.

Rama theksonte se edhe pse ka përkeqësim të gjendjes, nuk do të bien pre e tentativave politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit.

“Tash jemi në një pikë ku vetëm po shihet se përkeqësimi prapë ka filluar. Pra, edhe zonat të cilat Kompania ‘Pastrimi’ i ka menaxhuar. Ne nuk biem pre e këtyre tentativave puro politike për përkeqësim të imazhit të Kryeqytetit dhe duhet të vazhdojmë me gjendjen emergjente, ta përdorim tash për angazhimin e Kompanive private që t’i ndihmojmë Kompanisë ‘Pastrimi’, t’i ndihmojmë Kryeqytetit në pastrimin e mirëfilltë.” – shtonte më tej Rama.

Po në këtë ditë, më 03.02.2025 KALLXO.com raportoi se Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas Vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për krizën me mbeturinat në Kryeqytet. Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendon se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.

Sipas tyre, kryetari Rama, deri më 03.02.2025, në orën 09:00, nuk ka dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë dhe as dokumentet e tyre për regjistrim.

“Vetëm pak para Konferencës, rreth orës 09:00, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm.” – thuhej në njoftim, më 03.02.2025.

Kompania “Pastrimi” shton se Kryetari i Prshtinës ka kërkuar nga disa punëtorë të kësaj Kompanie që të njëjtit të sabotojnë shërbimin, vetëm “për të krijuar kaos” e siç thonë ata “për t’ia dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave Kompanisë private”.

“Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave – duke pretenduar se ‘Pastrimi’ nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim në 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën ta pastrojmë nga mbeturinat.” – shkruhej në njoftim.

Tutje, Kompania “Pastrimi” kishte akuzuar Komunën e Prishtinës se ka për synim hapjen e një tenderi me negocim, ku sipas tyre ekzistojnë dyshime se fitues është një Kompani që siç thuhet ka tradicionalisht lidhje me pushtetin komunal.

“Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen. Rregullorja e Kuvendit do të shkelet dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.” – deklaronte Kompania “Pastrimi”.