Komuna e Prishtines
Komuna e Prishtinës: Puseta ku ra i ndjeri është në rrugë që menaxhohet nga Qeveria
Një burrë që kishte rënë në një pusetë në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë më 09.08.2024 ka vdekur pas 10 ditësh trajtimi në QKUK, të hënë më 19.08.2024.
Për faktin se në raportin policor nuk është theksuar lokacioni i saktë i pusetës ku kishte rënë tashmë viktima (vetëm Prishtinë), Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet po edhe qytetarë reaguan për rastin duke kërkuar llogari nga komuna e Prishtinës për rastin në fjalë.
Shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla përmes një reagimi në rrjetin Facebook u shpreh se derisa komuna po promovon kontrata milionëshe, po vdesin njerëz në puseta të hapura.
“Është e tmerrshme me ndodh kjo në vitin 2024 në kryeqytet. Kaq vlen jeta e njeriut në Prishtinë. Të rrezikuar në çdo hap, në çdo moment, qoftë nga kulmet që fluturojnë, nga lisat që rrëzohen nga era apo nga pusetat e hapura”- ka shkruar Sveçla.
Derisa, komuna e Prishtinës përmes një sqarimi publik bëri të ditur se puseta ku kishte rënë një i moshuar më 9 gusht është në rrugë magjistrale Prishtinë – Podujevë që është në kompetencë të Qeverisë dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria.
“Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë. Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria”- thuhet në sqarimin e komunës.
Tutje, në këtë sqarim komuna ka potencuar se deklarime e pavërteta të LVV-së janë tentim politizim dhe shpifje.
“Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit”- thuhet me tej në sqarimin e komunës.
Shënim: Artikulli është edituar më 21.08.2024, ora 16:21.