Komuna e Prishtinës planifikon blerjen e mbi 14 mijë testeve serologjike për COVID-19

Komuna e Prishtinës përsëri është duke planifikuar të blejë teste serologjike.

Për dallim nga kontrata e parë ku bleu gjithsej 5 mijë e 40 teste, kësaj radhe po planifikon të blejë 14 mijë e 400 teste.

Në tenderin e dytë, kjo komunë ka planifikuar të shpenzojë 165 mijë euro, ndërsa procedura tenderuese kësaj radhe do të jetë e hapur.

Komuna e Prishtinës ka planifikuar të blejë 120 paketime  Vidas SARS-COV2 IgM me nga 60 teste dhe  120 paketime Vidas SARS-COV2 IgG po ashtu me nga 60 teste.

Në kontratën e parë komuna e Prishtinës përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës ka blerë 42 paketime me nga 60 teste SARS-COV2 IgM dhe 42 paketime me nga 60 teste SARS-COV2 IgG. në vlerë prej 58 mijë e 390 euro. Komuna e Prishtinës kishte paguar 11.5 euro mesatarisht cmimin për këto teste, ndërsa komuna e Gjakovës kishte paguar 9.9 euro mesatarisht një test.

Komuna fillimisht kishte planifikuar të shpenzonte 60 mijë euro për blerjen e këtyre testeve ndërsa operatori fitues ”BIOTEK KOSOVO L.L.C.”, kishte ofertuar me 58 mijë 390 euro, shumë në të cilën është nënshkruar edhe kontrata.

Sa ju kushtuan komunave testet serologjike për testimin e COVID-19?