Komuna e Prishtinës nuk pret OSHP-në, nënshkruan kontratë për avokat me procedurë të negociuar

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar tender për përfaqësim ligjor nëpër gjykata, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Edhe pse më herët, gjatë vitit 2021 ishte hapur një tender me kërkesa të njëjta, por pas ankesave të operatorëve ekonomikë kishte përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), që nuk ka qenë e funksionalizuar deri në qershor 2022 dhe rrjedhimisht tenderi kishte mbetur i bllokuar.

Por, Komuna e Prishtinës nuk ka pritur për vendimin përfundimtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke e hapur një tender tjetër përmes procedurës së negocimit dhe me 15 korrik 2022 ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Sejdiu & Qerkini’.

Tenderi është për ‘Shërbime të veçanta kontraktuese për përfaqësim ligjor për nevojat e Komunës së Prishtinës’.

Vlera e parashikuar ishte 90 mijë euro, ndërsa kontrata është e nënshkruar me njësi, ku vlera për një njësi është 658 euro.

Në këtë tender kishte aplikuar edhe kompania ‘Rexhepi & Zeqiri’, me çmimin për njësi prej 688,50 euro.

Por, në tenderin e vitit 2021 me të njëjtin emër me të njëjtin qëllim, me 17 gusht të atij viti ishte shpallur fitues ‘Avokatura Istrefi’. Tenderi kishte për qëllim të jetë i vlefshëm për 3 vjet.

Por që ndaj vendimit për të shpallur fitues këtë kompani, kishte deponuar ankesë në OSHP kompania ‘Labinot Vata & Partners’, me arsyetimin se kompania e shpallur fituese është e papërgjegjshme.

Kjo ankesë është deponuar në OSHP më 1 shtator 2021 dhe që nga ajo kohë ka mbetur e bllokuar.

Në ndërkohë, pasi që Komunës së Prishtinës ‘nuk i ishte pritur’ vendimi i OSHP-së, kishte hapur tenderin me negocim dhe ka nënshkruar kontratën.

Por, tash në tenderin e fundit, kompania e shpallur fituese në tenderin e vitit 2021 ka dorëzuar ankesë.

‘Avokatura Istrefi’ me 15 korrik ka dorëzuar fillimisht kërkesë për rishqyrtim të tenderit në Komunën e Prishtinës, duke pretenduar se ka shkelje ligjore.

”Përderisa lënda ende gjendet e shqyrtuar në OSHP, procedura e tanishme e udhëhequr nga Autoriteti Kontraktues (Komuna e Prishtinës) është bërë pa qenë të plotësuara kushtet e jashtëzakonshme të parapara me ligj dhe duke ditur se këta Operatorë Ekonomik nuk kanë të drejtën ekskluzive për ofrimin e këtyre shërbimeve siç parasheh Ligji për Prokurim Publik në mënyrë që të mund të ftohen vetëm këta në procedurë të negocimit”, thuhet ndër të tjera në ankesë.

Gjithashtu, ‘Avokatura Istrefi’ thotë se në kontratën në të cilën ishin shpallur fitues në vitin 2021, çmimi ishte më i lirë se sa kontrata që është nënshkruar këtë vit.

‘Avokatura Istrefi’ në tenderin e parë kishte ofertuar me 456 euro për njësi, për çka edhe ishin shpallur fitues si ofertuesi më i lirë, ndërsa ‘Sejdiu & Qerkini’ në tenderin e dytë janë shpallur fitues me çmimin e ofertuar prej 658 euro për njësi, apo me 202 euro më shtrejtë se tenderi i parë.

Më tutje, ‘Avokatura Istrefi’ ka bërë ankesë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por që i është refuzuar si e jashtë afatshme.

Aktualisht tenderi i vitit 2021 vazhdon të jetë i bllokuar në OSHP, ndërsa ai i vitit 2022 veçse është nënshkruar kontrata dhe rrjedhimisht ka filluar të zbatohet.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës për të kuptuar se pse nuk kanë pritur vendimin e OSHP-së, por deri në publikimin e artikullit, nga komuna nuk janë përgjigjur.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka qenë i bllokuar për më shumë se 1 vit, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk kishte emëruar anëtarët e Bordit.

OSHP është funksionalizuar me 23 qershor 2022, ndërsa tenderët e bllokuar aty, si pasojë e ankesave, kapin vlerën e mbi 200 milionë eurove.