Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës: Nuk është pezulluar procesi i blerjes së 30 autobusëve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, më 10.09.2024 ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe bordin e ndërmarrjes publike komunale “Trafiku Urban”.

Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, në këtë takim është diskutuar për rrjedhën e reformës së trafikut urban në kryeqytet dhe për procesin e blerjes së 30 autobusëve.

“Sot, kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama, mbajti takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bordin e Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Trafiku Urban’. Temë kryesore e takimit ishte rrjedha e reformës së trafikut urban në Kryeqytet” – njofton Komuna e Prishtinës.

Lidhur me blerjen e 30 autobusëve Komuna e Prishtinës ka konfirmuar së po vazhdon mbështetja nga BERZH-i dhe nuk është pezulluar ky proces.

“Gjatë takimit BERZH rikonfirmoi përkushtimin për të mbështetur reformimin e transportit urban. Po ashtu, BERZH rikonfirmoi se procesi i blerjes së 30 autobusëve të rinj në Kryeqytet NUK ËSHTË PEZULLUAR” – thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Gjithashtu në këtë takim mes palëve është bërë koordinimi për tejkalimin e vështirësive në përmbushjen e kritereve për blerjen e këtyre autobusëve.

“Palët u dakorduan të punojnë së bashku për të mbështetur NPK “Trafiku Urban” për të tejkaluar vështirësitë në përmbushjen e kritereve për blerjen e 30 autobusëve të rinj. Jemi të bindur se së shpejti do të vazhdojmë me blerjen e autobusëve” – njofton Komuna e Prishtinës.

Ndër të tjera në këtë takim është diskutuar edhe për riorganizimin e  linjave të autobusëve që ka nisur në fillim të shtatorit, projekt ky në bashkëpunim me BERZH-in.

“Po ashtu, asistenca teknike e BERZH-it, brenda projektit për riorganizimin e linjave të autobusëve, ka nisur në fillim të shtatorit. Nga viti i ardhshëm, do të kemi një rrjet më efikas të transportit, linja të reja për autobusë, dhe korridore të dedikuara për autobusë në qytet, përfshirë rritjen e numrit të autobusëve” – thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Gjithashtu palët janë pajtuar edhe për bashkëpunim me kompanitë private të autobusëve më qëllim të përmirësimit të shërbimeve të transportit publik dhe shfrytëzimi e një bilete të vetme pavarësisht a janë operator privat apo publik.

“Në këtë kontekst, u pajtuan që kontratat me operatorët privat të autobusëve, për modernizim të flotës së tyre dhe përmirësim të shërbimeve të transportit të nënshkruhen gjatë muajit shtator. Kjo do të sjellë përfitime të shumta për qytetarët pasi do të bëhet fuzionimi i shërbimit publik me privat, qytetarët do të përdorin një biletë të vetme pavarësisht operatorit privat apo publik nga viti i ardhshëm” – njofton Komuna e Prishtinës.

Në njoftim Komuna u bën thirrje qytetarëve të injorojnë dezinformatat që kanë qarkulluar lidhur me  procesin e blerjes se autobusëve.

“I lusim qytetarët që të injorojnë dezinformatat që kanë qarkulluar kinse BERZH ka ndërprerë mbështetjen për reformimin e transportit urban, përfshirë blerjen e autobusëve të rinj” – ka thënë Komuna e Prishtinës.