Ilustrim

Komuna e Prishtinës nënshkruan kontratë 50 mijë euro më shtrenjtë se vlera e parashikuar

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar një kontratë në vlerë afër 350 mijë euro për furnizimin dhe montimin e gjeneratorëve për institucionet edukativo-arsimore dhe nevojat tjera komunale.

Por më pak buxhet ishte parashikuar nga Komuna e Prishtinës për këtë tender.

Komuna e cila udhëhiqet nga Përparim Rama kishte parashikuar 300 mijë euro për furnizimin dhe montimin e gjeneratorëve.

Por kontrata me kompaninë fituese ka vlerën 349,890 euro apo saktësisht 49 mijë e 890 euro më shumë se vlera e parashikuar.

Kontrata është nënshkruar më 25 nëntor 2022 me kompaninë “CONTANTI GENERATORS” Sh.p.k., e cila sipas dosjes ka qenë e vetmja kompani që ka ofertuar. Procedura e hapur është përdorur në këtë tender ndërsa kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Përmes këtij tenderi, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar 19 gjeneratorë me fuqi të motorit 26 kW dhe me peshë 680 kilogramë. Vlera e këtij është 135,850 euro.

11 të tjerë janë kërkuar me peshë 1335 kilogram, me kapacitet maksimal i rezervuarit deri në 240 litra. Sipas dosjes, këto e kapin vlerën 93 mijë e 280 euro.

Më tej, kontrata përfshin edhe 4 gjeneratorë me kapacitet maksimal të rezervuarit deri 200 litra. Vlera e këtyre të katërtave është gjithsej 33,920 euro.

Gjithashtu janë blerë dy gjeneratorë me kapacitet të motorit minimum 240 kW – 300 kWa. Të dy kanë vlerën 47,700 euro.

Ndërsa 4 mijë euro kanë kushtuar 40 bateri – akumulator 100 ampera.

31 mijë e 140 euro ka kushtuar montimi i gjeneratorit me të gjitha pajisjet shtesë, bazamentin për vendosjen e gjeneratorit, kabllot për kyçje, gjenerator – rrjet – objekt (kyçje automatike) siguresa dhe të gjitha materialet e nevojshme për montimin dhe funksionalizimin e gjeneratorit.

Afati garantues për gjeneratorët duhet të jetë minimum 24 muaj.