Komuna e Prishtinës: Në Kosovë ka shumë të tillë që thërrasin ‘nuk mund të marr frymë’

Komuna e Prishtinës në shenjë solidarizimi dhe mbështetje pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd, në faqet zyrtare në rrjetet sociale, ka publikuar fotografti të logos së komunës me sfond të zi.

Në përshkrimin e fotografisë komuna ka shkruar se në Kosovë ka shumë të tillë që thërrasin ‘nuk mund të marr frymë’.

“Derisa emri i George Floyd po jehon gjithandej nëpër botë, atë se çka mund të bëjmë në vendin tonë është të mendojmë për grupet e margiinalizuara që i shtypim çdo ditë me paragjykime dhe sjellje jotolerante. Ka shumë të tillë në Kosovë që thërrasin: “Nuk mund të marr frymë”, thuhet në përshkrimin bashkangjitur fotografisë.

Me 25 maj, afro-amerikani  George Floyd u vra nga një polic në Minneapolis të Minesotas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Polici ia kishte vendosur gjurin në fyt, derisa Floyd thërriste se ‘nuk mund të marr frymë’.

Ky incident ka shkaktuar tensione dhe trazira në Shtetet e Bashkuara, ku një valë protestash të dhunshme janë shpërndarë në shumë shtete të Amerikës.