Komuna e Prishtinës ndan mbi 79 mijë euro për dekorime për datat festive
Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 79,920 euro për dekorimet për datat festive.
Kohëzgjatja e këtij tenderi është dy vite.
Sipas njoftimit të publikuar në e-Prokurimi, dekorimi i kryeqytetit i është besuar kompanisë “Te Fatosi” Sh.P.K., e cila kompani fitoi tenderin në bazë të kriterit për ofrim të çmimit më të ulët.
Kontrata është nënshkruar më 14.11.2024, ndërsa për këtë tender ishin paraparë 240 mijë euro.
Ndërkaq, KALLXO.com ka raportuar se si kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar një vendim me anë të të cilit ia ka miratuar kërkësen ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” për të organizuar në sheshet e kryeqytetit tregun dimëror “Verë n’Dimër” dhe atë veror “Akull n’Verë”.
Pas këtij vendimi, ndërmarrja kishte kërkuar ‘ndihmë’ nga një biznes për bashkëmenaxhim në organizimin e festivaleve. Mirëpo, pronari i kompanisë fituese dhe kryeshefi i ndërmarrjes rezultojnë të jenë miq të vjetër.