
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komuna e Prishtinës miraton planin për zhvendosje të disa fakulteteve
Asambleja e Kuvendit të Komunës së Prishtinës ka miratuar planin rregullues të hollësishëm për zonën te fakulteti teknik në lagjen Bregu i Diellit.
Drejtori i planifikimit strategjik dhe zhvillimit të qëndrueshëm, Genc Bashota ka thënë se disa objekte do dislokohen te fakulteti teknik, pasi nuk ka hapësirë te Kampusi Universitar.
“Është iniciuar hartimi i planit rregullues, disa fakultete do të dislokohen te Fakulteti teknik. Kemi pasur vazhdimisht presion nga studentë të FSHMN se nuk kanë hapësirë të mjaftueshme. Te kisha në hapësirën e kampusit nuk ka hapësirë për objekt të ri “, ka thënë Bashota.
Ndërsa, Shefki Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se nuk duhet të tërhiqemi nga prona te kampusi për shkak të kishës ortodokse.
“Nuk duhet të tërhiqemi nga ajo pronë më kampus, tërheqja jonë nënkupton zgjerim të kishës”, ka thënë Gashi.
Besnik Mujevci nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë se ajo zonë ka qenë e destinuar për hapësirë gjelbëruese dhe e tillë duhet të mbetet.
“Aty ka qenë në plan park për banorë të asaj zone e jo të ndërtohen objekte universitare, ka thënë ai.