Komuna e Prishtinës miraton plan veprimi për mbrojtje nga dhuna në familje për vitin 2023-2025

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar planin e veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje për vitet 2023- 2025.

Koordinatorja për të drejta të njeriut dhe luftimit të dhunës në familje, Premtime Preniqi para asamblistëve tha se ky plan është në kuadër të strategjisë kombëtare për dhunën ndaj grave 2022-2026.

“Sa i përket këtij plani, hartimi i tij ka nis pas aprovimit të strategjisë kombëtare për dhunën ndaj grave 2022-26.

Kemi hartuar planin e veprimit komunal në harmoni me planin kombëtar”- tha ajo.

Sipas saj, pjesë në hartim të këtij planin kanë qenë edhe Policia, Prokuroria Themelore, Gjykata Themelore, Agjencia për ndihmë juridike falas, Drejtoria për mirëqenie sociale, Strehimorja dhe OJQ të ndryshme.

Preniqi tutje shtoi se me anë të këtij plani synohet që të përmirësohen mekanizmat për reagim dhe trajtim të dhunës në familje.

“Të përmirësojë grumbullim të dhënave, mekanizmat për menaxhim më të shpejt, plani ka për bazë edhe Konventën e Stambollit”- shtoi ajo.

Plani, sipas saj, ka paraparë edhe aktivitete të ndryshme.

Violeta Salihu nga LVV tha se falënderon edhe OSBE që u ka dhënë përkrahje në këtë plan.

“Dua të shpreh falënderim sidomos ndaj OSBE që ka ndihmuar shumë. Ky konsiderohet si një nga dokumentet më të rëndësishme të komunës”- tha ajo.

Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim potëncoi se “…duhet të punohet edhe me shkolla pasi në televizione e muzikë promovohet dhuna. Sipas tij, një orë në javë të mësohet për edukim dhe sjelljen në shoqëri”- deklaroi ai.

Lidhur me këtë propozim, drejtoresha e arsimit, Besiane Musmurati tha se për shkak të mënyrës si është hartuar kurrikula nuk mund të aprovohet një propozim i tillë.

Derisa, nuk përjashtoi mundësinë e trajnimit të mësimdhënësve për dhunën në familje.