Dekorimi i shesheve të Prishtinës për festat e fundvitit - Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës merr masa para festave të fundvitit

Në afërsi te festave të fundvitit, Komuna e Prishtinës, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar për sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme.

Këto masa vijnë pas tragjedisë në Gjermani që një veturë hyri në një treg të Krishtlindjeve, që si pasojë mbetën të vdekur 5 persona.

Njëra nga pikat që Komuna ka kërkuar bashkëpunim, është që qytetarët të vëzhgojnë rrethinën dhe të lajmërojnë menjëherë autoritetet për çdo rast të dyshimtë apo individ që mund të paraqesë rrezik për rendin dhe sigurinë. 

Nga Komuna e Prishtinës është bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes në hapësirat e mbipopulluara, si në sheshe dhe qendrat kryesore të kryeqytetit, hapësirat tregtare dhe festive si dhe në pikat e organizimeve kulturore dhe aktiviteteve të tjera publike. 

“Rregullat bazë për një festë të sigurt: Kujdesuni për sendet personale gjatë lëvizjes në turma, respektoni udhëzimet e organeve të sigurisë dhe sinjalizimet në trafIk, mos bllokoni hyrjet dhe daljet e objekteve publike”-thuhet në thirrjen e komunës. 

Tutje, Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe masat të cilat do të zbatohen gjatë festave. 

Mes të tjerash këto masa janë: rritja e pranisë së forcave të rendit dhe sigurisë, prania e patrullave shtesë në sheshet kryesore dhe zonat me dendësi të madhe të qytetarëve.

Poashtu, ata njoftojnë edhe për kontrolle të shtuara nga organet përkatëse e të tjera. 

“Si gjithmonë, mirëqenia e Kryeqytetit tonë është përgjegjësi e përbashkët. Duke qëndruar të kujdesshëm dhe të bashkëpunueshëm, festat tona do të jenë më të sigurta dhe më të gëzueshme për të gjithë”- thuhet në njoftimin e lëshuar sot, më 21.12.2024.

Ky vendim vjen pas sulm që ka ndodhur të premten në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, duke lënë të vdekur 5 persona.

Policia ka arrestuar një burrë 50-vjeçar, i cili u tha se ishte mjek nga Arabia Saudite dhe kishte ardhur në shtetin gjerman në vitin 2006.