Foto: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës largon kiosqet te hyrja e QKUK-së

Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës ka ndërmarrë një aksion me qëllim që të lirohen hapësirat pranë hyrjes qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ky aksion është bërë në vazhdën e aksioneve që ka ndërmarrë kjo Drejtori për lirimin e hapësirave publike.

Në njoftim është thënë se gjatë këtij aksioni, Drejtoria e Inspeksionit, në koordinim edhe me ndërmarrjen “Hortikultura”, përveç lirimit të kësaj hapësire nga kiosqet dhe gjësendet tjera që shërbenin për shitje të mallrave të ndryshme e të cilat ishin të vendosura ilegalisht aty, ka bërë edhe pastrimin e gjithë kësaj zone nga grumbulli i madh i mbeturinave të krijuara në atë hapësirë.

“Gjatë ditës Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Florian Dushi, bashkë me Drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, kanë vizituar këtë lokacion dhe kanë përcjellë nga afër zhvillimin e punimeve nga ana e inspektorëve komunal të Komunës së Prishtinës”, është thënë në njoftim.

Foto: Drejtoria e Inspekcionit/Facebook
Foto: Drejtoria e Inspekcionit/Facebook
Foto: Drejtoria e Inspekcionit/Facebook