Komuna e Prishtinës jep detajet e ‘betejës’ me qeverinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare

Themelimi i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 nuk është formuar ende, edhe pse gati një vit ka kaluar që nga nënshkrimi i marrëveshjes – 08.09.2023, për mbajtjen e tyre në Kosovë.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se Përparim Rama, kryetar i kësaj komune ka kërkuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës që sa më shpejtë të themelojë këtë Komitet.

Kosova rrezikohet që nëse ky Komitet nuk funksionalizohet deri më 08.09.2024, të humbet mundësinë për mbajtjen e këtij organizimi.

Qeveria e Kosovës pati kërkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare që ajo të bëhet organizatore e lojërave.

Për këtë çështje nga Komuna e Prishtinës, për KALLXO.com thonë se janë kundër ndryshimit të organizatorit.

“Po, jemi në dijeni për kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshim të strukturave të parapara organizative për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Qëndrimi i Kryeqytetit është në linjë me atë të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare: të gjitha palët nënshkruese duhet t’i përmbahen Kontratës së datës 08 shtator 2023” – thuhet në përgjigjen e këtyre të fundit.

Tutje, nga kryeqyteti thonë se organizmi është ende në fazë fillestare.

Kjo sipas tyre për shkak të kërkesës së Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e strukturave organizative.

Në një konferencë për media, Përparim Rama më 15.08.2024 tha se “10 muaj kanë humbur pa u punuar si duhet për organizimin e këtyre lojërave”, duke konfirmuar po ashtu se ekzekutivi qendror synoi të marrë organizmin nga Komuna e Prishtinës.

Përparim Rama ‘bëhet i gjallë’ për Lojërat Mesdhetare: Qeveria synoi të marr menaxhimin e tyre

Qeveria e Kosovës, i ka dërguar Lojërave Mesdhetare një marrëveshje të re ku protagonist kryesor është Qeveria e Kosovës e jo Komuna e Prishtinës siç është paraparë fillimisht nga Lojërat Mesdhetare.

Më 27.06.2024, Komiteti Ndërkombëtar i pati kthyer përgjigje Qeverisë duke i thënë që nuk munden të hyjnë në marrëveshje direkte me Qeveritë ngase ata nënshkruajnë marrëveshje me qytetet.

Dallimi kryesor mes marrëveshjes së nënshkruar më 08.09.2023 dhe asaj që e ka propozuar Qeveria e Kosovës është që në të parën organizatore është Komuna e Prishtinës e Qeveria është garantuese financiare për organizimin e Lojërave kurse në të dytën, Qeveria është vet organizatore e lojërave.

KALLXO.com raportoi për këtë çështje:

Rrezikohet mbajtja e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 – Qeveria kërkon t’i organizojë vet ato