Komuna e Prishtinës jep detaje për arrestimin e inspektorit të ndërtimit

Një inspektor i ndërtimit në Komunë e Prishtinës është arrestuar nga policia gjatë ditës së djeshme nën dyshimin për marrje ryshfeti në shumë prej 12 mijë eurove.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar gjatë ditës së sotme, Komuna e Prishtinës, duke thënë se punëtori i komunë është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Më 29 shtator, në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar se njëri nga punëtorët e Komunës është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe është në mbajtje për 48 orë. Nga mediat morëm vesh që i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mit marrje.”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se është në pritje të informimit zyrtar, dhe menjëherë do të ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin dhe procedurat.

“Distancohemi nga çdo veprim i paligjshëm i cilitdo punëtor, dhe jemi të gatshëm për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet e rendit, për çfarëdo rasti”, thuhet në reagim.

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar për arrestimin e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës.

Sipas njofitmit arrestimi ndodhi pas një informacioni të një pale e cila kishte thënë se një inspektor po i kërkon para për një ndërtim në Prishtinë.

“Ankuesi tregon se është duke e ndërtuar një objekt në një lagje të Prishtinës dhe se edhe përkundër faktit që posedon leje ndërtimi iu kanë ndaluar punimet nga një inspektor i ndërtimi i Komunës së Prishtinës dhe sipas tij, ky i fundit është duke i kërkuar ryshfet për t’ ia lejuar vazhdimin e punimeve. NJHRKEK – Prishtinë pas pranimit të informatës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të verifikimit të informacionit që jep ankuesi, sigurohet simulimi i veprës penale (sigurimi i parave, fotografimi i parave që do përdoren për simulim)”, ka njoftuar policia.

Gjatë ditës së djeshme, në ora 17:00, në një restauruan në Prishtinë realizohet arrestimi në flagrancë i një inspektori i cili kishte pranuar një shumë parash nga ana e ankuesit. Paratë e marra i gjinden në çantë personit të dyshuar.

“Më këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprat penale: ’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’”, ka thënë tutje policia.

I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar të PTH-Prishtinë, i njëjti me akt-vendim për ndalim të dyshuarit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Arrestohet në flagrancë inspektori i Prishtinës me 12 mijë euro të dyshuara si ryshfet për një ndërtim