Bërlloku në Prishtinë/ FOTO: Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës gjobit qytetarin që hodhi mbeturina në trotuar (FOTO)

Komuna e Prishtinës ka gjobitur me 100 euro një qytetar që ka hedhur mbeturina në një prej trotuarëve në kryeqytet.

Në gjobën e publikuar nga Komuna e Prishtinës thuhet se qytetari kishte renovuar shtëpinë dhe kishte lënë bërllokun në trotuar. Po ashtu, ai obligohet t’i largojë ato.

Në vijim komuna ka bërë të ditur se do të ketë dënime për të gjithë qytetarët që hedhin mbeturina në vende të padestinuara.

“Do të dënohen të gjithë ata që hedhin mbeturina në vende të tjera përveç në vendet e destinuara për hedhjen e tyre” – ka njoftuar Komuna e Prishtinës.

Ndër të tjera në këtë njoftim është thënë se inspektorati do të jetë në terren për të minimizuar raste të tilla.

“Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon negativisht në komunitetin dhe mjedisin tonë; inspektorati do të jetë në terren për të minimizuar sa më shumë këtë problem” – thuhet në këtë njoftim ku tutje është kërkuar bashkëpunim nga ana e qytetarëve që ta mbajnë Prishtinën të pastër.

Gjoba për hedhje të mbeturinave/ Foto: Komuna e Prishtinës
FOTO: Komuna e Prishtinës