Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës ende s`e ka pranuar njoftimin e Ministrisë për anulimin e 'Lagjes në Badovc'

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datën 22 shkurt ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Komuna e Prishtinës se çfarë hapa do të marrë më tej rreth vendimit të ministrisë, mirëpo ata kanë thënë se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht.

“Komuna e Prishtinës ende nuk e ka pranuar zyrtarisht këtë vendim. Pas pranimit dhe shqyrtimit, do te merret vendimi meritor konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në e-mailin e komunës.

Të shtunën ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimet për dhënien e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në afërsi të liqenit të Badovcit.

Këtë vendim, Abdixhiku thotë se e ka marrë duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe duke u mbështetur në vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Shumë qytetarë e aktivistë u bënë bashkë në kundërshtim të këtij projekti që sipas tyre prek Badovcin.

Abdixhiku thotë se Qeveria e re është e përkushtuar t’i dëgjojë qytetarët e t’i mbrojë resurset natyrore.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizmit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shkruar ministri Abdixhiku në Facebook.

Qeveria e obligon Shpend Ahmetin ta anuloj vendimin për ndërtimet në Badovc

.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.