Komuna e Prishtinës ende nuk ka vendosur nëse do stoliset qyteti për festat e fundvitit

Tash e disa ditë është duke u diskutuar nëse duhet të stolisen qytetet këtë vit për festat e fundvitit.

Kjo për arsye se shumë qytetarë konsiderojnë që këto mjete do ishte më mirë të ndahen diku tjetër pasi jemi në një kohë të krizës ekonomike.

Por, ka edhe të tillë që konsiderojnë se stolisja do kthente pak disponimin pas një viti jo shumë të mirë, si shkak i përballjes me pandeminë.

Ajo çfarë një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë njohuri është që disa Komuna kanë kontrata të lidhura për dekorim dhe mjete e tyre nuk mund të ridestinohen për qëllime tjera.

Të njëjtin rast e kemi edhe me Komunën e Prishtinës e cila në vitin 2019 nënshkroi kontratë më vlerë 190 mijë euro me afat prej 36 muajve për stolisje të qytetit.

Në bazë të kësaj kontrate, operatori ekonomik që është përfitues i këtij tenderi, ka për detyrë që të stolisë qytetin për 3 vite me radhë.

Edhe pse mjetet për stolisje janë ndarë qysh në vitin e kaluar, si duket Komuna e Prishtinës ende është në mëdyshje për marrjen e një vendimi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti para disa ditësh në rrjetin social Facebook ka pyetur qytetarët nëse duhet të stoliset qyteti këtë vit, për të parë se si qëndron disponimi qytetar lidhur më këtë temë.

Miranda Mullafazliu nga zyra për informim e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com ka thënë se ende nuk është marrë asnjë vendim nëse do ketë këtë vit stolisje të qytetit.

“Ende nuk kemi ndonjë vendim dhe çfarëdo që të vendoset lidhur me këtë temë do ta  bëjmë publike me kohë”, ka thënë Mullafazliu.

Përpos stolisjes së qytetit, komuna e Prishtinës organizon edhe ndejën vjetore ‘Verë në dimën”, e cila këtë vit nuk do organizohet në mënyrë që të shmanget grumbullimi i njerëzve.

Pritet të shihet në ditët në vijim nëse Prishtina do stoliset ose jo këtë vit.