Ndriçimi publik

Komuna e Prishtinës do të ndajë 1.2 milion euro për ndriçim publik e kamera të sigurisë

Komuna e Prishtinës planifikon të ndajë 1.2 milion euro nga buxheti i vitit 2023 për zgjerim të ndriçimit publik dhe vendosje të kamerave të sigurisë në hapësira publike.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetarja e komunës, Donjeta Sahatçiu.

“Një Prishtinë më të sigurtë për vajza dhe gra në 2023. Më të ndritshme dhe të kontrolluar. 1.2 milion euro buxhet të planifikuar për shtrirje të ndriçimit dhe vendosje të kamerave për rritje të sigurisë në hapësira publike në Kryeqytet” – ka bërë të ditur nënkryetarja.

Po ashtu, komuna ka marr shumë kritika për mungesë ndriçimi dhe të kamerave në hapësira publike, gjë që do ndihmonte në identifikim më të lehtë të personave që përfshihen në vepra të ndryshme.

Aktualisht, Komuna e Prishtinës ka bërë vendosje të kamerave të sigurisë vetëm në sheshet në qendër si pjesë më e frekuentuar e qytetit dhe në disa nënkalime.

Komuna, së bashku më policinë ka në plan të vendosin kamera edhe nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Nënkryetarja Sahatçiu tutje ka potencuar se Komunës së Prishtinës i duhet formimi i një drejtorie të policisë ashtu siç i takon me Ligjin për kryeqytetin.

“Edhe 3 vite pas miratimit të Ligjit për Kryeqytetin, Prishtina ende nuk po e ka të lejuar ta ketë policinë e vet siç e përcakton neni 7 i këtij ligji” – ka shtuar më tutje Sahatçiu.