Komuna e Prishtinës diskualifikoi kandidaten për mësimdhënëse pasi ka nivelin Bachelor në kolegj privat

Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës më 3 korrik ka hapur konkurs për pranim të mësimdhënësve në shkolla të ndryshme.

Në mesin e shumë prej aplikuesëve është edhe Xhyljeta Bërbatovci e cila ka aplikuar si mësimdhënëse në Shkollën Ekonomike, por sipas saj ajo u diskualifikua duke mos i dhënë mundësinë të hyj në test me shkrim si shkak që ka nivelin Bachelor të përfunduar në një kolegj privat.

Bërbatovci për Kallxo.com tha se Burimet njerëzore në Komunë i kanë thënë se ekziston një ligj që ia mohon mësimdhënien.

Bërbatovci në anën tjetër thotë se ka arritur ta sigurojë edhe Udhëzimin Administrativ ku thuhet e kundërta e asaj që i është komunikuar.

Sipas Udhëzimit Administrativ mjafton të kesh të përfunduar drejtimin përkatës për ku aplikohet, nuk ceket nëse Institucioni duhet të jetë publik apo privat.

Në Udhëzimin Administrativ të Drejtorisë së Arsimit thuhet se të gjitha drejtoritë Komunale për Arsim obligohen që të trajtojnë në mënyrë të barabartë kategoritë e të diplomuarve që kanë qenë të licencuara dhe akredituara me të diplomuarit në Institucione publike.

Kandidatja Bërbatovci ka të përfunduar nivelin Bachelor të Ekonomisë në kolegjin “Iliria” me notë mesatare 9.55 dhe nivelin Master në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” me notë mesatare 8.83.

Bërbvatovci thotë se ka bërë edhe ankesë pasi i është humbur mundësia për të hyrë në testim pa arsye.

Nga Komuna i është thënë të pres 30 ditë për shqyrtim të ankesës. Kandidatja Bërbatovci ka diplomuar në vitin 2016 në Kolegjin “Iliria”, në atë kohë ky kolegj posedonte akreditim.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, e cila u pyet se mbi çfarë baze mund të jetë diskualifikuar kandidatja, por Shala nuk dha ndonjë detaj vetëm deklaroi se personi në fjalë duhet të bëjë një shkresë më shkrim në komunë dhe të pres për përgjigje.