Foto: Kallxo.com

Komuna e Prishtinës dhe USAID nënshkruajnë marrëveshje për lejet e ndërtimit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me USAID -in në programin për trajnimin e ndërtimeve pa leje.

Ahmeti tha se legalizimi është shumë i rëndësishëm dhe se nga viti 1999 në kryeqytet janë shënuar 50 mijë shkelje.

“Procesi i legalizimit është proces shumë i rëndësishëm në Kosovë. Besohet se në Kosovë do të trajtohen 300 mijë shkelje të ndryshme që nga paslufta. Në komunën e Prishtinës janë 50 mijë shkelje që nga viti 1999”, tha Ahmeti.

Ai tutje theksoi se në Prishtinë ka shtëpi që ende janë pa leje ndërtimi.

“Në Kosovë dhe Prishtinë ka pronarë që kanë shtëpi pa leje qe 30 vite, pronën e ka të vetën por shtëpinë pa leje”, vazhdoi tutje i pari i Prishtinës.

Gjithashtu ai ftoi të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe t’i legalizojnë pronat e tyre.

Ndërsa, Joshua Mike nga USAID në Kosovë u shpreh bashkëpunues dhe mbështetës në këtë proces.

“Në mënyrë që ky projekt të jetë i suksesshëm sektorët publik dhe privat duhet të punojnë bashkë në frymën e transparencës dhe kemi kënaqësi të përkrahim këtë projekt për të mbështetur si komunat ashtu edhe nivelin qendror”, u shpreh Mike.

Terence Slywka nga “Chemonics International” u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës. Ai tha se do të mundohet të bëjë çdo gjë që është e mundur për një bashkëpunim efektiv.