Komuna e Prishtinës blen 20 mijë euro materiale mbrojtëse

Në kohën e pandemisë COVID-19, Komuna e Prishtinës në mënyrë urgjente ka blerë materiale mbrojtëse.

Materialet në vlerë rreth 20 mijë euro, sipas njoftimit, do të përdoren për institucionet shëndetësore dhe institucionet tjera të Komunës, kurse nuk është e cekur se për çfarë materiale bëhet fjalë.

Kontrata për këto materiale është nënshkruar gjatë javës së kaluar, me datë 16 mars.

Njoftimi për kontratën me titull “Furnizimi me materiale mbrojtese personale – emergjente” është bërë me 13 mars.

Sipas njoftimit, në këtë tender ka aplikuar vetëm një operator ekonomik dhe i njëjti është shpallur fitues i tenderit.

Kompania me emrin ‘N.T.SH. Made – Kos’ është fituese e tenderit dhe kontrata e kap vlerën e përgjithshme 19 mijë e 400 euro.

 

Ndërsa, sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, të datës 19 mars, kryetari Shpend Ahmeti ka nënshkruar vendimin përmes të cilit ngritet shkalla e gatishmërisë emergjente në nivel Komune.

“Përmes këtij vendimi mobilizohet struktura e sistemit të mbrojtjes, shpëtimit, prokurimit, ndihmës dhe shërbimeve të tjera emergjente, të cilat do të koordinojnë, planifikojnë dhe zbatojnë të gjitha masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Kurse sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, deri më tani në vendin tonë janë të infektuar me COVID-19, 33 persona gjithsej.

Dy rastet e fundit, njëri është nga Komuna e Malishevës, ndërsa tjetri nga ajo e Gjilanit.

Konfirmohen edhe dy raste me coronavirus në Kosovë