Komuna e Prishtinës blen 10 mijë e 800 teste për COVID-19

Komuna e Prishtinës ka blerë 10 mijë e 800 teste për COVID-19 në vlerë 114,700 euro përmes furnizimit emergjent.

Përmes këtyre testimeve serologjike që do të bëhen në institucionet shëndetësore të Komunës së Prishtinës do të mund të identifikohen personat që janë në javën e parë të infektimit, ata që janë në fazën e avancuar apo ata që janë afër shërimit nga virusi. Por, po ashtu me një nga këto testime do të mund të identifikohet nëse personi e ka kaluar virusin para një kohe të caktuar.

Përmes kontratës së parë në vlerë 55,600 euro, e cila është nënshkruar me kompaninë “Biotek Kosovo”, janë blerë 4,800 teste me specifika “≥ 99%”. Komuna do të furnizohet me 2,400 teste për SARS-COV2 IgM dhe 2,400 të tjerë për SARS-COV2 IgG.

Me kontratën e dytë në vlerë 59,100 euro, të cilën e ka fituar kompania “Made-Kos”, Komuna e Prishtinës ka blerë 6 mijë teste me specifika “≥ 95%”. Kryeqyteti do të furnizohet me 2 mijë teste për SARS-COV2 IgA, 2 mijë teste për SARS-COV2 IgM dhe 2 mijë të tjera për SARS-COV2 IgG.

Kompanisë “Biotek Kosovo” i është dhënë afat prej 2 ditëve për dorëzim prej momentit të marrjes së lejes nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKMP), ndërsa kompanisë “Made-Kos” i është dhënë afat prej 7 ditëve që nga momenti i marrjes së lejes.

Me blerjen e këtyre testeve pritet që edhe Komuna e Prishtinës të nis me testime për COVID-19. Por, këto teste që do të bëhen në laboratorët që janë pjesë e sistemit shëndetësorë të Prishtinës janë teste serologjike, pra nuk janë teste të njëjta që bëhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR.

Mikrobiologia Gjyle Mulliqi e ka shpjeguar për KALLXO.com se testet që pritet të bëhen nga Komuna e Prishtinës pritet të tregojnë tri rezultate sa i përket COVID-19.

“IgM antitrupat shfaqen në fund të javës së parë respektivisht deri në fund të javës së dytë. Po ashtu në fillim të infeksionit deri në javën e dytë dhe të tretë shfaqen edhe IgA antitrupat që në një mënyrë flasin për një gjendje të sëmundjes së tanishme. IgG antitrupat shfaqen kah fundi i muajit të parë dhe qëndrojnë më gjatë, ato në një mënyrë flasin për imunitetin, nëse qëndrojnë aq sa pritet të qëndrojnë sikurse te infeksionet e tjera”, ka deklaruar Mulliqi.

Ajo ka theksuar se nëse pacientët i kanë të gjitha këta antitrupa negative por kanë simptome të COVID-19, nuk do të thotë që pacienti nuk është i infektuar sepse mund të jetë në fazën shumë të hershme.

Më tej Mulliqi ka treguar edhe çka do të thotë për pacientë kur disa prej këtyre antitrupave dalin pozitivë e disa negativë.

“Nëse IgG dhe IgA dalin pozitive atëherë pacienti është në infeksion dhe infeksioni mund të jetë nga java e dytë, tretë e deri në muajin e parë. Nëse pacienti i ka IgM dhe IgA negative, ndërsa i ka IgG pozitive atëherë mund të flasim për një gjendje kur pacienti e ka fillu krijimin e antitrupave specifikisht e ka një imunitet por nuk e ka sëmundjen e kalume. Nganjëherë ndodh që edhe IgG edhe IgA janë pozitive që do të thotë se pacienti është ende në zhvillimin e një imuniteti por ende është virusi duke u zhvilluar, organizmi është duke zhvilluar antitrupa ndaj virusit të cilin e ka ende pacienti në organizëm”, ka përfunduar mikrobiologia Mulliqi.

Më 13 korrik, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë kapacitetet testuese në institucionet publike dhe private përveç Institutit të Shëndetësisë Publike, i cili ka qenë i vetmi që ka kryer testime deri më tash.

Dje, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte ankuar që janë duke pritur leje për t’i marrë testet serologjike të cilat iu kishin mbetur në terminalin doganor në Kosovë.

“Edhe më tutje po presim leje për me i marr testet serologjike që janë ne terminal doganor në Kosovë e për përdorim të QMF-ve-ve të Komunës tonë”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Disa orë më vonë, kryetari Ahmeti, kishte shkruar prapë në Facebook dhe kishte njoftuar që e kishin marrë lejen për importimin e testeve serologjike që i ishin ndaluar kësaj komune në doganë që nga muaji mars.

“Për korrektësi, ju informojmë se kemi marr lejen për importimin e testeve serologjike e të ndaluara që nga Marsi i këtij viti! Po ashtu qenka nënshkruar nga Ministri Zemaj udhëzimi administrativ që përfshin standardet për teste edhe për laboratorët private”, ka njoftuar Ahmeti.

Ndërsa sot kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka treguar se në javët në vijim Komuna e Prishtinës do t’i bëjë disa hulumtime me teste serologjike. Ai ka thënë se me mostër prej 1000 testeve për të gjetur përqindjen e atyre që kanë pasur virusin, testimin e rasteve pozitive për të parë se a kanë ndërtuar imunitet dhe testimin e punëtorëve të Komunës për ta kuptuar situatën nëpër institucione.

“Besoj se këto hulumtime dhe testimet e tjera do ta ndihmojnë IKSHP dhe Komunat e tjera për ta kuptuar më mirë situatën. E besojmë se kjo mund të kontribuoj edhe për hulumtuesit e tjerë. Këtë do ta bëjmë në koordinim me Odën e Mjekëve dhe institucionet e tjera relevante”, ka përfunduar Ahmeti.

Nga 420 teste për COVID-19, sot janë regjistruar 119  raste të të infektuarve. Numri total i të infektuarve me COVID-19 që nga 13 marsi, kur është regjistruar personi i parë i prekur me COVID-19, ka shkuar në 5,237. Prej tyre 2,462 të shëruar dhe 112 të vdekur.

Vetëm në Prishtinë aktualisht janë 1,629 të prekur me COVID-19, prej tyre 1192 raste aktive, 416 të shëruar dhe 21 të vdekur.

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.