Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinë e subvencionoi një përfitues tri herë brenda vitit edhe pse rregullorja ia lejon vetëm një herë

Edhe pse në rregulloren e Komunës së Prishtinës thuhet se një person fizik apo juridik vetëm një herë në vit mund të jetë përfitues i subvencioneve të ndara nga komuna, kjo nuk kishte ndodhur në një rast, kur një përfitues ishte subvencionuar tri herë.

Kjo gjetje është evidentuar në raportin e auditimit për Komunën e Prishtinës në vitin 2021.

Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2021 ka ndarë nga dy herë subvencione në fushën e sportit për 62 persona juridik (OJQ) dhe persona fizik, ndërsa një përfitues ishte subvencionuar 3 herë. Në fazën e parë për këta përfitues ishin ndarë 158,706 euro, ndërsa për fazën e dytë 189,161 euro.

Te procesi i vlerësimit të kërkesave për subvencionim “Përkrahje për media”, Auditori ka gjetur se dy anëtarë të Komisionit për vlerësim të kërkesave ishin nga stafi politik.

“Pagesat për tre përfitues në vlerë totale 10,350 euro ishin pa kërkesë të arsyetuar, pa marrëveshje, nuk është caktuar zyrtari për monitorim dhe nuk janë dorëzuar raporte kthyese nga përfituesit”, thuhet në raportin e auditimit.

Te kontrata “Furnizimi me kultivator për fermer” në vlerë prej 57,750 euro, zyrtari që ka qenë anëtari i Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për ndarjen e subvencioneve në sektorin e bujqësisë ishte emëruar edhe menaxher i kontratës.

Sipas Auditorit, “Kuzhina qendrore” është subvencionuar me vendim të Kuvendit në vlerë prej 30,000 euro pa kërkesë të arsyetuar, pa marrëveshje dhe nuk ka aplikuar raporte kthyese.

“Komuna nuk e ka mbështetur me planifikim konkret dhënien e subvencione, kjo për shkak se nuk ka përgatitur Planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të. Komuna nuk ka përgatitur as Raportin vjetor për projektet e financuara. Kjo ka ndodhur shkaku i mungesës së kontrolleve të brendshme në zyrën e kryetarit dhe mos zbatimit të kërkesave ligjore për subvencionim”, theksohet në raport.

Me këto gjetje është pajtuar edhe Komuna e Prishtinës.

Auditori ka theksuar se mungesa e planeve vjetore pamundëson informimin paraprak të palëve të interesit dhe OJQ-ve. Sipas Auditorit, mosrespektimi i rregullave për mbështetjes financiare rritë mundësin që të ketë trajtim jo të barabartë të përfituesve.

“Projektet mund të mos zbatohen në mungesë të monitorimit dhe raportimit nga përfituesit”, vazhdon raporti.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar kryetarit të Prishtinës, që të sigurojë që anëtar të komisionit të vlerësimit të kërkesave të mos jenë stafi politik.

“Plani vjetor i mbështetjes financiare për OJQ dhe Raporti vjetor të përgatiten dhe të njëjtat t’i dërgohen me kohë zyrës për qeverisje të mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM). Për projektet e subvencionuara të caktohen monitoruesit dhe të kërkohen raporte kthyese financiare dhe narrative nga përfituesit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për kryetarin e Prishtinës.