Foto: Qëndron Kastrati/Facebook

Komuna e Podujevës planifikon t'i shpenzojë 135 mijë euro për serra në kohë fushate

Komuna e Podujevës ka vendosur që të hapë tender për pajisje për 100 serra. Vlera e tenderit është 135 mijë euro. Këto serra do t’u ndahen fermerëve të kësaj komune.

Vendimi për të ndërtuar serra dhe për t’ua ndarë fermerëve është marrë gjatë kohës kur kjo komunë është duke u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës.

Pas vendimit të Agim Veliut për të lënë pozitën e kryetarit të Podujevës për t’u bërë ministër në Qeverinë Kurti, kjo komunë do të shkojë në zgjedhje.

Ndonëse ende nuk është hapur zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike tashmë i kanë përzgjedhur kandidatët, të cilët veçse kanë nisur parafushatën.

Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga LDK, të martën (25.02.2020) ka njoftuar përmes Zyrës së Prokurimit se i ka bërë gati mbi 135 mijë euro për t’i shpenzuar për furnizimin dhe montimin e serrave për fermerë.

Vendimi është marrë në një kohë kur kjo komunë nuk ka kryetar dhe gara është hapur tashmë.

Komuna ka njoftuar se do t’i pranojë ofertat deri më 3 prill të këtij viti, derisa zgjedhjet e jashtëzakonshme janë caktuar të mbahen me 15 mars.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës është Nexhmi Rudari, i cili në mungesë të kryetarit, e ushtron detyrën e tij.

Rudari është po ashtu edhe kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje garon me kandidatin Shpejtim Bulliqi, derisa Partia Demokratike me kandidatin e saj Naim Fetahu.

Vlera e parashikuar e tenderit për ndërtimin e serrave

 

Numri i serrave që Komuna e Podujevës ka vendosur t’i ndërtojë