
Komuna e Podujevës i jep subvencion OJQ-së pjesë e së cilës është Shpejtim Bulliqi?
Komuna e Podujevës ka ndarë një subvencion për një organizatë jo-qeveritare pjesë e së cilës dyshohet se është vetë kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
KALLXO.com ka kontaktuar vetë Bulliqin por kryetari Podujevës e ka mohuar se është pjesë e organeve të OJQ-së. Ndërsa, nga Klubi i Futbollit Veteranët Llapi nuk kanë pranuar të japin detaje.
Më 01.07.2024, nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu kishte nënshkruar një vendim me të cilin kishte ndarë 2 mijë euro për organizatën jo-qeveritare “Klubin e Futbollit Veteranët Llapi”.
Sipas regjistritrit elektronik të OJQ-ve, sekretar te Klubi i Futbollit Veteranët Llapi është Berat Berisha.
Më 13.04.2024, Berisha kishte bërë një njoftim në rrjetin social Facebook ku njoftonte se në krye të KFV Llapi ishte zgjedhur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Takimi i delegatëve, sipas njoftimit, ishte mbajtur në Kuvendin Komunal të Komunës së Podujevës.
“Gjatë këtij kuvendi u zgjodh edhe kryesia e re e KFV LLAPI në krye me Kryetarin e ri tashmë të klubit të veteraneve të Llapit z. Shpejtim Bulliqi” – thuhej në postim.
Kryeatri Shpejtim Bulliqi e ka mohuar se është pjesë e KFV Llapi, derisa tha se nuk ka qenë pjesë e takimeve të këtij klubi asnjëherë.
Kryetari i Podujevës megjithatë tregoi që ka pasion për futboll dhe luan shpesh jo vetëm me veteranët nga Podujeva.
“Unë naj pozitë? Jo s’kam asnjë pozitë unë aty valla…se di a ekziston bile si klub. Luj top kaniherë unë, jo veç me veteranët, unë top luaj gjithë, luaj me veteranët, me diasporën, se kam telashe unë atë punë” – tha ai.
“Unë as nuk kam marrë pjesë në takim, ata pa më pyet mu me kanë përzgjedhur, është me i pyet ata. As nuk kam informacion që jam pjesë atij klubi, nëse kanë bë diçka në vete, është diçka tjetër” – ka deklaruar Shpejtim Bullliqi për KALLXO.com.
KALLXO.com ka pyetur edhe sekretarin e OJQ-së “Klubin e Futbollit Veteranët Llapi, Berat Berisha rreth pozitës së Bulliqit në këtë organizatë. Por, ai nuk ka dashur të jap shumë detaje.
“Jo bre vlla, çfarë Bulliqi a çka jeni tu thanë a, me çka merreni a? Postimi, po leni mos bëni hajgare me këto sene. Zotni për këtë punë kurrë mos më thirrë më, unë çka bëjë, unë ty llogari nuk të dha, ditën e mirë e për këtë punë mos më thirrë më kurrë” – ka thënë Berisha përmes telefonit.
Nënshkrimi i vendimit
Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Luahu në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se nënshkrimi i vendimit për ndarjen e subvencionit erdhi pas një rekomandimi nga zyrtari për konflikt të interesit brenda komunës.
“Vendimi është marrë nga komisioni i emëruar për mbështetje financiare. Nënshkrimi nga unë është bërë për shkak që kryetari ka qenë në konflikt interesi dhe ka bërë deklarimin e këtij konflikti. Rasti ka ardhë me rekomandim të zyrtarit për parandalim te konfliktit te interesit” – ka thënë Luahu.
E pyetur nëse konflikti i interesit lidhet me atë se kryetari Bulliqi është në krye të KFV Llapi, Marigona Luahu tha se “me duket që ajo ka qenë arsyeja”.
Ndryshe nga nënkryetarja e komunës është deklaruar kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Unë nuk e kam nënshkruar por kaniherë unë i delegoj kompetencat, ka mundësi që nuk kam qëlluar këtu, kam qenë në pushim” – tha Shpejtim Bulliqi.
“Nuk është punë konflikt interesi…nuk e di qysh kanë mujtë me më zgjedh pa qenë nëpër takime, duhet me qenë nëpër takime, tani me të zgjedh. S’kam pas asnjë takim të tillë. Për me më zgjedh duhet me më pyet së pari” – tha ai.
Në gusht të vitit të kaluar, Shpejtim Bulliqi kishte zhvilluar një ndeshje futbolli bashkë me veteranët nga Llapi dhe Diaspora.
“Me këtë ngjarje sportive ne i nderuam me mirënjohje post-mortum edhe ata që na kanë lënë gjatë vitit të fundit e të cilët kanë kontribuar shumë për sportin e futbollin llapjan e vendor” – njoftonte Bulliqi ate kohe në Facebook.