Ilustrim

Komuna e Pejës shpenzon mbi 39 mijë euro për paragllajd

Komuna e Pejës së fundmi ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për blerjen e paragllajdit dhe pajisje tjera për të cilat do të shpenzojë 39,622 euro.

Në mesin e muajit mars të sivjetmë, Komuna e Pejës inicioi aktivitetin e prokurimit me titull “Blerja e paragllajdit me motor“. Për të realizuar këtë blerje, komuna kishte zotuar mjetet deri 39,622 euro.

Për këtë tender, komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Ky aktivitet i prokurimit rezultoi me nënshkrim kontratës në mes të komunës dhe kompanisë së përzgjedhur. Njoftimi për nënshkrimin e kontratës, bën të ditur se komuna ka përzgjedhur kompaninë “X” Sh.P.K me vlerë të përgjithshme të kontratës 39,622 euro.

Çka bleu komuna përmes këtij tenderi?

Sipas kontratës së publikuar në platformën elektronike në “e-prokurim”, Komuna e Pejës bleu një paragllajd “Ozone Mojo 6 për femra (S) LLOGO”, logoja do të jetë “I Love Peja”, me çmim 3,750 euro, dhe sedilje për femra me çmim 650 euro.

Pastaj, dy paragllajd ‘Ozone Mojo 6” me çmim 3,750 euro për copë apo gjithsej 7,500 euro. Sipas përshkrimit këta paragllajd duhet të jenë me logo të flamurit të Kosovës, gjithashtu është kontraktuar të blihet edhe një sedilje për meshkuj me çmim prej 650 eurove.

Tutje, komuna përmes këtij tenderi furnizohet me produktin trike “eco light” me çmim prej 22,187 euro si dhe paragllajd tandem “Ozone Magmax 2” me çmim prej 4,885 euro.