Peja

Komuna e Pejës shpenzon afro 100 mijë euro për pako ushqimore për familjet e varfra

Komuna e Pejës ka ndarë afro 100 mijë euro për t’u dalë në ndihmë familjeve në gjendje të rëndë ekonomike në këto ditë të ballafaqimit me pandeminë.

Për këtë është arritur marrëveshja e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Vlera e përgjithshme e kontratës me titull “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshem për familjet me nevoj me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19” është 99,742.50 euro.

Kontrata është nënshkruar më 17 prill.

“Express Store” është kompania fituese e këtij tenderi.

Kjo kontratë ka hyrë në fuqi më 17 prill ndërsa do të përfudojë më 16 maj.

Afati kohor për kryerjen e shërbimeve do të jetë 5 ditë nga koha e lëshimit të urdhër-blerjes nga autoriteti kontraktues.

Një pako ushqimore do të përmbajë produktet si në vijim:

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se kjo shumë do të hiqet nga shuma e paraparë për investime kapitale.

“Do të hiqen 100 mijë euro prej investimeve kapitale dhe do të përdoren për ndihmë ndaj familjeve në gjendje të rëndë ekonomike, ashtu që nëse zgjatë pandemia me pasë një mundësi që familjet në nevojë me u dal në ndihmë Komuna me artikuj bazikë”, tha Abazaj.

Lidhur me mënyrën e ndarjes se mjeteve, Abazaj deklaroi se ekziston në Komunë lista e familjeve që marrin asistencë sociale ose me gjendje të rëndë ekonomike, por që, sipas tij, pasur parasysh situatën ekonomike të krijuar numri në listë mund të rritet.

“Ekziston lista në komunë e familjeve që marrin asistencë sociale ose me gjendje të rëndë ekonomike, por mundet me u shtu kjo listë sepse veç fakti që janë mbyllur bizneset ka me pasë rritje të rasteve sociale, çka do të jetë pak problem të menaxhohet situata por megjithatë paraprakisht duhet të ndihmohen rastet skajshmërisht ekonomike”, tha Jeton Abazaj.

Komuna e Pejës ka të regjistruar 300 familje që janë në gjendje të rëndë ekonomike.