Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri - Foto: ATDHE MULLA

Komuna e Pejës pagoi nga dy herë faturat, e disa të tjera me çmime përtej kontratës

Për shkak të neglizhencës së menaxhuesve të kontratave, Komuna e Pejës ka paguar edhe nga dy herë për fatura të njëjta, e në disa raste u paguan shuma më të mëdha nga seç parashihej me kontratë.

Këto janë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Pejës për vitin 2018.

Auditori gjeti disa raste të mangësisë në certifikimin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave.

Sipas raportit të Auditorit, në pagesën prej 19,913 euro për mirëmbajtjen e shkollave është evidentuar se montimi i kaldasë për ngrohje në vlerë prej 900 euro ishte faturuar dhe paguar dy herë.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se pas trajtimit të rastit nga ajo është korrigjuar gabimi financiar.

Ndërsa, në pagesën prej 73,182 euro për ndërtimin e shkollës së muzikës “Halit Kasapolli”, Auditori ka evidentuar se për tre pozicione çmimet e faturuara ishin më të larta se çmimet e kontraktuara.

Si rezultat janë paguar rreth 1,065 euro më shumë seç është dashur.

Kurse, te kontrata për ndërtimin e shkollës së mesme të artit “Odhise Paskali”, përmes ekzaminimit fizik Auditori ka verifikuar se furnizimi me material dhe punimi i shkallëve metalike të kombinuara me dru nuk ishte realizuar edhe pse pagesa ishte lëshuar duke u bazuar në situacionin për pranimin e punëve.

Sipas menaxherëve të kontratës pozicionet janë të përfshira me një çmim dhe se nuk ka pasur mundësi që të bëhet ndalja e pagesës në mënyrë të veçantë për shkallët dhe punimi i shkallëve do të bëhet pasi që të përfundojnë të gjitha punët tjera të vrazhdta në objekt për shkak të mosdëmtimit të tyre gjatë realizmit të punimeve, thuhet në gjetjet e raportit.

Raporti sqaron se kjo gjendje ishte për shkak të neglizhencës/pakujdesisë së menaxherëve të kontratave dhe certifikuesit në aplikimin e kontrolleve efektive në shpenzimin e parasë publike.

“Duhet theksuar se Komuna pas vërejtjeve tona ka marrë masat e nevojshme dhe është dakorduar me operatorët ekonomikë për kthimin e parasë publike në buxhetin e Komunës”, thuhet në raport.

Auditori thotë se neglizhenca e punëtorëve rezulton me pagesa të parregullta.

“Neglizhenca/pakujdesia e menaxherëve të kontratave dhe çertifikuesit në aplikimin e kontrolleve mund të rezultojë me pagesa të parregullta dhe shton rrezikun për keqpërdorimin e parasë publike”, vlerëson Auditori.

Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandoi kryetarit se duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave dhe certifikuesi aplikojnë kontrolle efektive në procesin e shpenzimit të parasë publike për t’u siguruar se pagesat bëhen vetëm sipas çmimeve të kontraktuara dhe punëve/furnizimeve të realizuara.

Po ashtu, për gabimet financiare të identifikuara, Komuna duhet të sigurohet se do të bëhet kthimi i mjeteve financiare në buxhetin e Komunës apo bëhet ndalesa në pagesat e radhës gjatë realizimit të këtyre kontratave.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, konfirmoi se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018 të Komunës së Pejës.