Komuna e Pejës ndan 100 mijë euro për familjet në gjendje të rëndë ekonomike

Komuna e Pejës ka ndarë 100 mijë euro për t’u dalë në ndihmë familjeve në gjendje të rëndë ekonomike në këto ditë të ballafaqimit me pandeminë e coronavirusit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj.

Abazaj tha se për shkak të situatës emergjente të krijuar, kryetari ka propozuar që të ndahet një shumë prej 100 mijë eurove. Ky propozim i është dërguar Asamblesë për votim.

Sipas Abazajt, kjo shumë do të hiqet nga shuma e paraparë për investime kapitale.

“Do të hiqen 100 mijë euro prej investimeve kapitale dhe do të përdoren për ndihmë ndaj familjeve në gjendje të rëndë ekonomike, ashtu që nëse zgjatë pandemia me pasë një mundësi që familjet në nevojë me u dal në ndihmë Komuna me artikuj bazikë”, tha Abazaj.

Lidhur me mënyrën e ndarjes se mjeteve, Abazaj deklaroi se ekziston në Komunë lista e familjeve që marrin asistencë sociale ose me gjendje të rëndë ekonomike, por që, sipas tij, pasur parasysh situatën ekonomike të krijuar numri në listë mund të rritet.

“Ekziston lista në komunë e familjeve që marrin asistencë sociale ose me gjendje të rëndë ekonomike, por mundet me u shtu kjo listë sepse veç fakti që janë mbyllur bizneset ka me pasë rritje të rasteve sociale, çka do të jetë pak problem të menaxhohet situata por megjithatë paraprakisht duhet të ndihmohen rastet skajshmërisht ekonomike”, tha Jeton Abazaj.

Komuna e Pejës ka të regjistruar 300 familje që janë në gjendje të rëndë ekonomike.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 63 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.